Kroacia refuzon lirimin e ish-punonjëses së misioneve ndërkombëtare në Kosovë, e dyshuar për spiunazh dhe që kishte lidhje me Listën Serbe
Gjykata e Qarkut në Split ka refuzuar kërkesën për lirimin nga paraburgimi të Ana Murganiq, ish-punonjëse e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, e cila po hetohet për përfshirje në një aferë spiunazhi që ka tronditur Ministrinë Kroate të Mbrojtjes (MORH). Sipas mediumit kroat 24sata.hr, gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojtjes me arsyetimin se ekziston rrezik arratisjeje. Ndërkohë,…
Lajme
Gjykata e Qarkut në Split ka refuzuar kërkesën për lirimin nga paraburgimi të Ana Murganiq, ish-punonjëse e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, e cila po hetohet për përfshirje në një aferë spiunazhi që ka tronditur Ministrinë Kroate të Mbrojtjes (MORH).
Sipas mediumit kroat 24sata.hr, gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojtjes me arsyetimin se ekziston rrezik arratisjeje. Ndërkohë, partneri i saj, ish-pjesëtar i kontingjentit kroat në misionin KFOR në Kosovë, është liruar nga paraburgimi, transmeton lajmi.net.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë kontrollit të telefonave të tyre është gjetur komunikim komprometues, që dyshohet se dëshmon për transmetim të informacioneve të ndjeshme ushtarake drejt përfaqësuesve politikë serbë.
Sipas të dhënave të para, A.M. dyshohet se ka marrë nga partneri i saj informacione për lëvizjet dhe planet e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat më pas i ka përcjellë tek strukturat e “Listës Serbe”, partia kryesore e serbëve në Kosovë që mban lidhje të ngushta me Beogradin.
Hetuesit kanë identifikuar të paktën katër raste të rrjedhjes së informacioneve sekrete, përfshirë ato që lidhen me tensionet në Zubin Potok dhe arrestimin e ish-policit kosovar Dejan Pantiq në dhjetor të vitit 2022.
Burime pranë hetimit kanë bërë të ditur se Murganiq më parë ka punuar në misionet EULEX dhe UNMIK, ku kishte krijuar kontakte me zyrtarë gjyqësorë dhe figura politike serbe.
Ajo do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të fazës hetimore, ndërsa autoritetet kroate nuk përjashtojnë zgjerimin e hetimeve ndaj personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rrjetin e dyshuar të spiunazhit./lajmi.net/