Kroaci – Kosovë, biletat “falas” (FOTO)
Federata e Futbollit të Kroacisë ka filluar përgatitjet për dy ndeshjet e radhës kualifikuese, atë ndaj Kosovës që e zhvillon më 2 shtator dhe atë ndaj Finlandës më 6 tetor.

Sport
Kjo federatë, gjatë ditës së sotme ka publikuar për opinionin çmimet e biletave për këto dy ndeshjet, që do të zhvillohen në Zagreb, në stadiumin ‘Maksimir’, që ka 37 mijë ulëse.
Ajo që bie menjëherë në sy, janë çmimet e lira të biletave që ka vendosur kjo federatë, edhe pse dihet se çfarë cilësi ka kombëtarja e tyre, pjesëmarrëse në Kampionate Evropiane dhe Botërore, e po ashtu lidere në grupin I për kualifikimet për botërorin ‘Rusia 2018’.
Për dallim nga Federata e Futbollit të Kosovës, që aspak nuk merr parasysh vështirësitë që hasin tifozët ‘Dardanë’ për të udhëtuar deri në Shkodër për të ndjekur Përfaqësuesen e Kosovës, duke i nxjerrë biletat në shitje me çmime tejet të larta, Federata e Futbollit të Kroacisë, ka bërë të kundërtën, duke kërkuar që të mbush stadiumin me tifozë në këto dy ndeshje të rëndësishme, duke iu ofruar atyre bileta me çmime vërtetë të lira.

Bileta më e lirë në ndeshjen Kroaci – Kosovë, do të jetë rreth katër euro, apo 30 kuna kroate, ndërsa ajo më e shtrenjta, që njihet si pjesa VIP, do të kushtojë vetëm 20 euro.
Nëse bëjmë një krahasim me ndeshjen e fundit Kosovë – Turqi, del se biletat për tifozët kosovar për nga çmimi i shtrenjtë, kalojnë nga dyfish deri në pesë apo gjashtëfish Kroacinë.
Bileta më e mirë në ndeshjen Kosovë – Turqi, ka qenë 7 euro, ndërsa jo më e shtrenjta 120 euro. Çmimet tjera kanë qenë nga 15, 20 dhe 55 euro.
Ndërsa çmimet Kroaci – Kosovë, janë këto: 4 euro, 6.5 euro, 13.50 euro dhe 20 euro./Lajmi.net/