Kriza politike- kërkesa e Osmanit drejtuar Kushtetueses ende duke u proceduar
E vonshme dhe tashmë e paobjekt po konsiderohet kërkesa e presidentes Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 22 korrik për krizën politike. Edhe pse ka kaluar një javë nga dorëzimi i kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese është ende në fazën fillestare të saj, duke e proceduar të njëjtën. Në këtë institucion nuk u sqarua nëse vendimmarrja…

Lajme
E vonshme dhe tashmë e paobjekt po konsiderohet kërkesa e presidentes Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 22 korrik për krizën politike. Edhe pse ka kaluar një javë nga dorëzimi i kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese është ende në fazën fillestare të saj, duke e proceduar të njëjtën.
Në këtë institucion nuk u sqarua nëse vendimmarrja që do të rezultojë nga shqyrtimi i kërkesave të deputetëve të PDK-së dhe LDK-së do të adresojë edhe sqarimet e kërkuara nga presidentja Osmani. Megjithatë, njohës të çështjeve juridike vlerësojnë se kërkesa e presidentes do të shpallet e papranueshme nga Kushtetuesja, ndërkaq përgjigjet e kërkuara prej saj mund të përfshihen në aktgjykimin pas datës 8 gusht, kur edhe skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 22 korrik, duke kërkuar edhe masë të përkohshme për të ndaluar afatin 30-ditor që Kushtetuesja kishte caktuar për deputetët që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik. Megjithatë, deputetët, as pas 54 përpjekjeve, nuk arritën të zgjedhin organet e Kuvendit.
Në një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese u tha se kërkesa e presidentes Osmani është duke u proceduar.
Dy ditë para përfundimit të këtij afati, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme për mbajtjen e seancës konstituive, duke ua ndaluar deputetëve të marrin vendime apo të ndërmarrin veprime nga data 27 korrik deri më 8 gusht, kur do të shpallet aktgjykimi i plotë mbi ngërçin në Kuvend
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaçku, tha se kërkesa e presidentes Osmani ishte e vonshme, pasi mund të ishte bërë shumë më herët, qysh disa ditë pas aktgjykimit të parë të Kushtetueses më 26 qershor.
Sipas tij, e njëjta pritet të shpallet e papranueshme, ndërsa kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme për afatin 30-ditor ka qenë e paarsyeshme, pasi afati tashmë është konsumuar.
Bugaçku: Kërkesa e presidentes e vonshme, Kushtetuesja do ta vlerësojë si të papranueshme
“Tërësisht e vonshme ka qenë. Kjo ka mundur të bëjë këtë kërkesë të paktën dy-tri ditë pasi u dha vendimi i datës 26 qershor, kur është vendosur një afat që nuk ka pasoja juridike. Presidentja, atëherë, ka mundur të kërkojë interpretim nga gjykata mbi efektin e pasojës. Në esencë, kjo është thelbi i kërkesës së presidentes. Ajo dëshiron të dijë se çfarë pasoje juridike ka moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Rrjedhimisht, mendoj se gjykata duhet ta vlerësojë si të papranueshme këtë kërkesë. Në momentin kur të zgjidhet rasti i kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja, vendimmarrja që do të prodhohet nga ato dy lëndë do të jetë e mjaftueshme që të mos pranohet fare kërkesa e presidentes, pasi sqarimet do të jepen nga aktgjykimi që do të prodhohet me rastin e vlerësimit të kërkesës së PDK-së dhe LDK-së. Kërkesa për masë të përkohshme ka qenë absurde, pasi nuk mund t’i kërkosh Gjykatës Kushtetuese që një vendimi të saj t’i vë efekt pezullues”, thekson ai.
Ndërkohë, avokati Ardian Bajraktari tha se çështja e kërkesës së presidentes Osmani drejtuar Kushtetueses tashmë është e paobjekt, me vendosjen e masës së përkohshme nga kjo e fundit.
Madje, ai shton se thelbi i kërkesës së saj ka një varg anomalish brenda vetes, ku ajo ka pretenduar se mund të ketë konflikt për kompetencë për shkak të vonesave në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Çështja e kërkesës tashmë është e paobjekt, kërkesa për masë të përkohshme po ashtu. Por, gjithashtu, vlerësoj që edhe thelbi i kërkesës ka një varg anomalish për faktin që kërkesa bëhet për qartësimin e situatës, siç pretendohet në të, për çështjen e konfliktit të kompetencës. Ndërsa kur analizohen kërkesat eksplicite që i janë adresuar Gjykatës Kushtetuese, ato më tepër janë në formë pyetjesh se si të veprohet më tej pas tejkalimit të afatit. Mendoj se kjo ishte një përpjekje për t’iu shmangur mënyrës standarde të adresimit në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit, që nga viti 2018, nuk pranon më kërkesa që sillen në formë pyetjesh. Për këtë arsye, mendoj se edhe thelbi i çështjes ka mangësi të mëdha”, theksoi ai.
Kosova nuk ka arritur të themelojë institucionet e reja, pavarësisht se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Deputetët, të shtunën e javës së kaluar, dështuan për herë të 54-të të konstituojnë legjislaturën e nëntë, ndërsa ka skaduar edhe afati 30-ditor i dhënë nga Gjykata Kushtetuese që i obligonte të zgjedhurit e popullit të formonin organet e Kuvendit deri më 26 korrik.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për të cilin LVV, në koalicion me Guxo dhe Alternativën, ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu. Mirëpo, e njëjta, në gjashtë votime të hapura, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post.