Kriza e janarit, bien numri i vizitorëve në hotele

Kriza e muajit janar është reflektuar edhe në sektorin e hotelerisë, ku është vërejtur rënie e numrit të vizitorëve si nga vendi ashtu edhe nga jashtë. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë muajit janar 2026 në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 66 980 vizitorë. Nga ky numër, 27…

Lajme

11/03/2026 15:20

Kriza e muajit janar është reflektuar edhe në sektorin e hotelerisë, ku është vërejtur rënie e numrit të vizitorëve si nga vendi ashtu edhe nga jashtë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë muajit janar 2026 në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 66 980 vizitorë. Nga ky numër, 27 377 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 39 603 vizitorë të jashtëm.

Krahasuar me janarin e vitit 2025, kur në hotele ishin regjistruar 69 227 vizitorë, këtë vit është shënuar një rënie prej 3,2 për qind e numrit të përgjithshëm të vizitorëve.

Numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve në hotele gjatë janarit 2026 ishte 126 838. Prej tyre, 71 197 net-qëndrime ose 56,1 për qind u realizuan nga vizitorët e jashtëm, ndërsa 55 641 net-qëndrime ose 43,8 për qind nga vizitorët vendorë.

Po ashtu, të dhënat tregojnë se edhe numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rënie. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në janar 2026 ka pasur 4,4 për qind më pak vizitorë të huaj.

Sipas Agjencia e Statistikave të Kosovës, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj që qëndruan në hotelet e Kosovës gjatë kësaj periudhe vinin nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.