Kritikon Isa Mustafa: Rendi në qytet nuk vihet me kuja

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk dëshiron të flet mbi atë se çfarë duhet të bëjë Shpend Ahmeti e çfarë jo në Komunën e Prishtinës. Mirëpo, vë në pah shumë ndërtesa nëpër qytet me rrethoja, siç i quan, aspak të arsyeshme.

Lajme

11/08/2014 19:54

Mustafa në një postim të tij në Facebook shkruan se si qytetar i Prishtinës nuk mendon që rendi në kryeqytet vihet me rrethoja e me kuja.

Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës, Ministria e Shërbimeve Publike, Komuna e Prishtinës, janë disa nga vendet që Mustafa i ka përmendur e që, sipas tij, kanë rrethoja të paarsyeshme.

Lexoni më poshtë reagimin e plotë të tij:

“E lexova një reagim të analistit Naim Rashiti në Indeksonline, siç thotë ai, për stubat e Ahmetit. Nuk do të dëshiroja që unë të them çfarë duhet të bëjë apo të mos bëjë udhëheqja e tanishme e Prishtinës.

Por dua të shtoj se shumë vite është punuar që të hiqen shtyllat dhe rrethojat nga objektet dhe rrugët e Prishtinës. Ka qenë e rrethuar me parmakë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Shërbimeve Publike, Komuna e Prishtinës, ka mbetur i rrethuar Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Rrethoja aspak të arsyeshme janë rreth objektit të përfaqësisë së Bashkimit Evropian, rreth Eulex-it rreth AKP-së. Këto institucione më shumë përngjajnë në burxhe.

Në një shtet dhe në një vend me logjikë normale, bota dhe jeta nuk fillon me çdo ndryshim të qeverive. Do të ishte mirë që Kryetari i Komunës dhe të tjerët të pyesnin se pse janë hequr shtyllat dhe rrethojat, ti pyesin edhe qytetarët se a preferojnë që këmbësorët të përplasen për shtylla në trotuare, e se a kemi mbërri deri në atë nivel që duhet të mbrohemi me instrumente të tilla. Si qytetar i Prishtinës mendoj se rendi në qytet (kryeqytet) nuk vihet me rrethoja dhe me kuja. Prishtina nuk është burg i askujt”.