Kritikohet ashpër vendimi i qeverisë për ndarjen e 290 mijë eurove për familjarët e ‘Grupit të Kumanovës’

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 290 mijë eurove për shpenzimet e familjeve në rastin “Kumanova”, ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Lajme

10/11/2017 16:47

Pjesëtarët e “Grupit Kumanova”, janë dënuar nga gjykata në Maqedoni, për disa akuza si cenim i rendit kushtetues, e terrorizëm, ndërsa që ndarja e mjeteve për familjarët e tyre po konsiderohet si e pakuptimtë.

Për më tepër Kosova një muaj para ngjarjes së vitit 2015 në Kumanovë, kishe miratuar në Kuvend ‘Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”.

Flaka Surroi drejtoreshë e grupit mediatik ‘Koha’, e ka quajtur të pa logjikshëm vendimin e qeverisë për ndarjen e këtyre mjeteve.

Ajo ka thënë se të thuash, se të dënuarit në këtë rast shkuan për të luftuar për ideale në Maqedoni, i bie shkelje e ligjit që u ndalon qytetarëve të Kosovës pjesëmarrje në konflikte të armatosura jashtë vendit, shkruan lajmi.net.

Surroi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të publikoi nëse ka informata lidhur më këtë rast e që publiku nuk i di.

“Në Kumanovë ka ndodhur një incident shumë i rëndë. Vdiqën 18 veta. Është shkatërruar pothuajse një lagje e tërë. Nuk e kuptuam se çka kërkonin kosovarët e armatosur në Kumanovë. As kush i çoi atje, as kush i bindi të shkonin atje, dhe as për çfarë arsye”.

“Ndarja e parave nga buxheti i Kosovës për familjet e të dënuarve për vepra penale të kryera në një shtet tjetër nuk ka asnjë kuptim logjik.Të thuash se të dënuarit shkuan në Maqedoni për të luftuar për ideal — është ta shkelësh “Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”, të cilin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës në prill të 2015-s, pra një muaj para se të ndodhte Kumanova”.

“Nëse Qeveria ka informata që publiku nuk i di për këtë rast, do të duhej të dilte e t’i tregonte. Ndryshe, kështu, themelon një precedent sipas të cilit secili njeri i dënuar për vepër penale në shkallë të parë, do të kishte të drejtë të marrë kompensim nga shteti”, ka shkruar në facebook Surroi.

Kritikë ndaj vendimit të Qeverisë për ndarjen e mjeteve për familjarët e ‘Grupit Kumanova”, ka qenë edhe gazetari e publicist Enver Robelli.

Ai e ka quajtur plaçkitje të arkës së shtetit këtë veprim të ekzekutivit.

Postim i plotë i tij:

Kumanova, kryeministri dhe plaçkitja e arkës së shtetit

Shumica e pjesëmarrësve kosovarë në përleshjet me policinë maqedonase në Kumanovë në maj të vitit 2015 kanë karrierë «të pasur» kriminale. Disa prej tyre aq shumë ia kanë futur tmerrin vajzave dhe djemve në Gjakovë dhe vende të tjera të Kosovës, saqë kur ka ardhur lajmi se janë vrarë në Kumanovë – në Gjakovë është festuar! Disa prej tyre kanë mbushur xhepat me para të mbledhura nga haraçi. Ose nga droga. Edhe sot mbetet mister se kush i dërgoi ata në Maqedoni «për të luftuar». Shefat e tyre në Kosovë, që donin t’i hiqnin qafe nga frika se do të vijë dita të ballafaqoheshin me drejtësinë? Apo këta kosovarë i joshi shërbimi maqedonas me premtime për një «lojë lufte» që do sillte përfitime për të dy palët? Apo në lojë ishin aktive edhe shërbime më të mëdha?

Familjet e tyre kanë qejf t’i shohin «pjesëmarrësit e betejës së Kumanovës» si patriotë. Kjo është e drejtë e tyre. E drejtë e tyre është edhe të mallkojnë Maqedoninë si shtet që nuk ka sistem të pavarur të drejtësisë. Ndoshta është ashtu. Por, si do të reagonte Kosova nëse në territorin e saj do të hynin nja 50 a 100 maqedonas të armatosur rëndë, do të vrisnin nja 10 policë, do të plagosnin dhjetëra të tjerë, do të shkatërronin prona? Shqiptarët anekënd dynjasë do të çoheshin në këmbë për të kërkuar varjen e «terroristëve sllavë». Kumanova është një intrigë e madhe, një kurth dhe lojë shërbimesh dhe pjesë e kësaj loje janë bërë edhe shumë shqiptarë aventurierë. Që tani qeveria e Kosovës merr vendim që familjeve të tyre t’ua paguajë 219 mijë euro gjoja për mbulimin e shpenzimeve është një poshtërsi, madje krim i radhës që vuloset nga vetë kryeministri i Kosovës. Me këso vendimesh ai po shpërfaq në opinion një mentalitet parashtetëror, të rrezikshëm, plaçkitës. Arka e shtetit nuk është e tij! Me këso vendimesh shteti i Kosovës tërthorazi e merr përgjegjësinë edhe për Kumanovën. Si shumë vendime skandaloze të kësaj qeverie edhe ky do të kalojë në heshtje, me gjasë. LDK? VV? PDK?.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se nga e do të ndahen 219 mijë euro, për secilën familje të ndahen nga 10 mijë euro.

Javë më parë gjykata në Maqedoni ka dënuar më burgim po thuajse të gjithë pjesëtarët e Grupit Kumanova’, ku 7 prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Vetëm 4 pjesëtarë të këtij grupi janë liruar./Lajmi.net/