Kritikat e Vlorës për BE’në

Ministrja Vlora Çitaku deklaron se Komisioni Europian duhet të jetë më i përgjegjshëm karshi Kosovës. Ajo thotë se Kosova po kërkon më shumë ndërveprim në bisedimet për liberalizimin e vizave.

Lajme

17/01/2014 10:20

Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje te vendet anëtarë të Bashkimit Europian që të jenë më të “përgjegjshme” karshi shtetit të ri të Kosovës.

Ministria Çitaku ka thënë se pavarësisht thirrjeve nga Parlamenti Europian dhe nga qeveritarët e Kosovës për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovës, Komisioni Europian deri më tani nuk ka hartuar asnjë raport, po që ka dërguar një mision monitorues në Kosovë, raporton EurActiv.

“1.7 milionë kosovarë janë plotësisht të izoluar. Ne e dimë që në vitin 2009, kur mbarë rajoni hoqi regjimin e vizave. E dimë që Europa ka ndërruar që atëherë, por që kur dialogu është iniciuar, ne kemi pranuar vetëm një raport dhe një mision ka ardhur për monitorim, ani pse ne kemi dorëzuar tek ata gjithçka që na është kërkuar”.

Çitaku ka thënë se Kosova nuk “ia zë për të madhe” BE’së që i ka vendosur Kosovës më shumë kritere për liberalizim se sa çdo vendi tjetër më parë. Ajo thotë se këto kritere janë një udhërrëfyes i mirë.

“Është në rregull, ato na shërbejnë si një udhërrëfyes, ne nuk e marrim këtë gjë si personale, por ne do të dëshironim që Komisioni të ishte më përgjegjës. Ne thjesht duam më shumë interaksion”.

Ajo thotë se në veri të vendit Kosova nuk po mundohet të shtrijë “autoritetin” por të ofrojë shërbimet e saj.

“Pas 15 vitesh ne shohim një ndryshim në politikën në Serbi. Situata në veri është pasojë e politikës së Beogradit, ata kanë financuar dhe kanë ushqyer strukturat paralele dhe ne tashmë po përballemi me monstrumin që ata kanë krijuar”.

“Ne nuk pretendojmë që të shtrijmë autoritetin në veri, por shërbimet tona”.

“Serbët në jug janë mirë të integruar”, ka thënë Ministrja Vlora Çitaku.