“Krim me pabesi dhe dinakëri”, avokati rrëfen detaje tronditëse për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi
Avokati Besnik Berisha, ka dhënë një rrëfim tronditës për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, duke e cilësuar rastin si një nga më të rëndët që ka përjetuar Kosova pas luftës. Berisha, i cili përfaqëson familjen e të ndjerit, theksoi se kjo ngjarje ka lënë plagë të thella emocionale, duke u shoqëruar me muaj të tërë…

Lajme
Avokati Besnik Berisha, ka dhënë një rrëfim tronditës për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, duke e cilësuar rastin si një nga më të rëndët që ka përjetuar Kosova pas luftës.
Berisha, i cili përfaqëson familjen e të ndjerit, theksoi se kjo ngjarje ka lënë plagë të thella emocionale, duke u shoqëruar me muaj të tërë vuajtjesh dhe ankthi për familjen Rexhepi.
“Realist, ashtu e kam përkufizu edhe në fjalën përfundimtare në gjykatë – ishte një nga rastet më trishtuese që është përballur Kosova në dy dekada e gjysmë. Një krim i kryer me dinakëri dhe pabesi të thellë”, u shpreh Berisha në RTV Dukagjini.
Ai deklaroi se vrasja nuk ka qenë aksidentale, por një akt i planifikuar deri në detaje, për një shumë të caktuar parash që të dënuarit kishin besuar se do ta përfitonin.
“U provua që kishte një plan. Vëllai i vogël kishte shkuar më herët për ta përgatitur terrenin. Më 8 dhjetor, ditën kur Bedriu u ekzekutua, ata e thirrën, organizuan gjithçka, zgjodhën rrugën, vendin – një zonë që e njihnin mirë. E çuan dhe e vranë. Të nesërmen u kthyen, e morën trupin dhe e varrosën në kushte të mjerueshme në Graçanicë”.
Berisha zbuloi se në momentet para hedhjes së kufomës në makinë, njëri prej autorëve kishte shpërthyer emocionalisht:
“Më ka thënë: ‘I qofsh falë kësaj xhenazeje se do ta digjja shtëpinë!’ – sepse ishin ngatërruar gjatë zbritjes së kufomës nga kati i tretë”.
Sipas avokatit, ky ishte një krim që përfshinte edhe përpjekje për zhdukjen e provave, pasi autorët kishin menduar se nëse nuk gjendej trupi, nuk mund të vërtetohej krimi.
“Ata mendonin, si në filma, që nëse nuk gjendet trupi, nuk ka krim të provuar. Por drejtësia funksionoi. U provua gjithçka, u gatu për muaj me radhë dhe u ekzekutua në mënyrën më të pashpirt.”
Gjykata ka shpallur fajtorë vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për këtë krim makabër që ka tronditur opinionin publik dhe ka lënë pasoja të thella në familjen Rexhepi.