Krijimi i Gjykatës Speciale do ta ndryshojë Kushtetutën

Zyrtarët e qeverisë thonë se duhet të kryhen tri veprime juridike nw legjislaturën e ardhshme, për të funksionalizuar Gjykatën Speciale. 

Lajme

24/04/2014 21:26

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në një prononcim për RTK-në, theksoi se gjithçka rreth gjykatës do të jetë në duart e ndërkombëtarëve. Por për funksionalizimin e saj pritet të ketë edhe ndryshime kushtetuese, që duhet të bëhen nga parlamenti i ardhshëm.

Gjykata Speciale, e cila u votua dje në Kuvendin e Kosovës, nuk dihet se kur do të fillojë punën. Edhe pse Kuvendi i hapi rrugë krijimit të saj, kompetencat kryesore, përbërjen dhe fillimin e punës në këtë gjykatë pritet t`i kenë ndërkombëtarët.  

Sipas zv/kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës duhet t\’i miratojë tri veprime juridike që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale, ndër to edhe ndryshimet kushtetuese.

“Kerkohen tri veprime juridike, të cilat duhet ti bëjë legjislatura e ardhshme. Ligji special për këtë gjykatë, amendamentet kushtetuese dhe një marrëveshje me një shtet të tretë, që është paraparë në dokument. Pastaj mund të bisedohet për mundësinë  e funksionimit të kësaj dhome. Kjo dhomë do të jetë me gjyqtarë dhe prokurorë të huaj”, tha Hajredin Kuci.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Holanda që ta ndihmojë Task Forcën Speciale të BE-së në ndjekjet e mundshme penale, në momentin kur hetimet për pretendimet për trafikim organesh të kompletohen. Holanda ka vënë si kushte që Gjykata Speciale duhet t\’i plotësojë standardet më të larta të së drejtës penale ndërkombëtare dhe standardet e dala nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Por ekspertët e fushës së drejtësisë thonë se mekanizmi i kësaj Gjykate nuk e përfshin vetëm gjykatën e shkallës së parë dhe nivelin e dytë, por edhe nivelin kushtetues, edhe pse selia është thënë që do të jetë në Kosovë. E gjithë veprimtaria e saj do të zhvillohet jashtë Kosovës.

Në media ndërkombëtare është raportuar se kjo gjykatë do të ketë një buxhet rreth 170 milionë euro, transmeton Radio Televizioni i Kosovës.