Kredi të garantuara, por grante të pezulluara për diasporën
Diaspora e Kosovës shihet si një burim i madh kapitali për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, Dritarja e Investimeve, e krijuar për t’i mbështetur investimet e saj, po përballet njëkohësisht me histori suksesi dhe me sfida të dukshme. Kompania ReachteQ LLC në Kosovë është një nga 19 bizneset e diasporës që kanë përfituar mbështetje nga…

Lajme
Diaspora e Kosovës shihet si një burim i madh kapitali për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, Dritarja e Investimeve, e krijuar për t’i mbështetur investimet e saj, po përballet njëkohësisht me histori suksesi dhe me sfida të dukshme.
Kompania ReachteQ LLC në Kosovë është një nga 19 bizneset e diasporës që kanë përfituar mbështetje nga Dritarja për Investimet e Diasporës.
Kjo nismë, e lansuar në korrik të vitit 2024, nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka për qëllim nxitjen e investimeve të diasporës në vend.
Erblin Lekaj, bashkëthemelues i kompanisë, i rritur në Gjermani, thotë se Dritarja për Investimet e Diasporës ka qenë vendimtare për zhvillimin dhe ngritjen e biznesit të tij prodhues, të nisur pak më shumë se një vit më parë.
Kompania e tij merret me dizajnimin, prodhimin dhe shitjen e veglave që garantojnë kushte më të sigurta pune në sektorin e ndërtimtarisë.
Falë garancisë së FKGK-së, Lekaj thotë se kompania e tij ka siguruar një kredi trevjeçare në një bankë komerciale në Kosovë, pa pasur nevojë të vendosë kapital privat si garanci.
“Ne kemi një zyrë në Prishtinë, por kemi një kompani partnere prodhuese në Kosovë dhe kemi rritur kapacitetet. Nga muaji tetor do të shtojmë edhe sasinë e prodhimit, ndërsa kompania planifikon ta zgjerojë fabrikën dhe ta rrisë numrin e punëtorëve, në mënyrë që veglat t’i eksportojmë në Gjermani”, thotë Lekaj për Radion Evropa e Lirë.
Pas rritjes së aktivitetit biznesor, Lekaj tregon se muajin e kaluar është kthyer bashkë me familjen e tij për të jetuar në Kosovë.
Përveç kompanisë së tij, edhe 18 biznese të tjera të themeluara nga mërgimtarët kosovarë janë mbështetur me 22 kredi të miratuara nga Dritarja për Investimet e Diasporës.
Deri më tash, sipas FKGK-së, kanë përfituar 19 kompani me vlerë totale të kredive prej 3.8 milionë eurosh, nga të cilat 2.8 milionë janë garantuar nga Fondi.
Investimet më të mëdha janë realizuar në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore – 1.5 milion euro – pasuar nga industria e prodhimit me 1.2 milion euro.
Në sektorët e tjerë – tregti me shumicë e pakicë, ndërtimtari, aktivitete administrative dhe shërbime të tjera – investimet kanë qenë nën 500 mijë euro secili.
“Kjo iniciativë tregon për potencialin e jashtëzakonshëm që diaspora ka në forcimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e FKGK-së për Radion Evropa e Lirë.
Fondi fillestar i zotuar ishte 10 milionë euro: tetë milionë nga Qeveria e Kosovës dhe dy milionë nga FKGK-ja.
Deri më tani, Qeveria ka transferuar tre milionë euro të kontributit të saj, ndërsa FKGK-ja, si zbatuese e projektit, ka ndarë dy milionë euro, duke krijuar një kapital prej pesë milionësh për të mbështetur aktivitetet garantuese.
Pjesa e dytë e fondeve të zotuara nga Qeveria, në vlerë prej pesë milionë eurosh, thonë nga FKGK-ja, do të disbursohet në varësi të nivelit të shfrytëzimit të pjesës së parë të kapitalit, pasi Fondi do të vazhdojë të garantojë kreditë për të gjithë ata që janë të interesuar dhe plotësojnë kriteret e kërkuara.
Dedushaj: Interesim i ulët i diasporës për investime në Kosovë
Naim Dedushaj, nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë, thotë se interesimi nga investitorët e diasporës është i ulët, fillimisht për shkak të situatës globale, por edhe mungesës së koordinimit mes institucioneve të Kosovës për të lehtësuar qasjen në projekt.
Sipas tij, kërkesat për shumë dokumente dhe mungesa e informacioneve të qarta për këtë proces kanë bërë që bizneset të hezitojnë.
Lidhja e Bizneseve Shqiptare të Diasporës operon në 25 shtete me mbi 10 mijë biznese anëtare, por Dedushaj thotë se nuk ka raport zyrtar që ndonjë kompani anëtare të ketë përfituar nga kjo dritare.
“Për shembull, shumë banka nuk kanë ditur t’ua shpjegojnë qartë investitorëve të diasporës procedurat e nevojshme, duke u dhënë kërkesa të përgjithshme e jo specifike. Unë vetë i kam telefonuar disa banka dhe nuk i kam kuptuar saktë kërkesat. Dhe, për këtë arsye, nuk kam mundur ta përcjell informacionin tek investitorët e diasporës”, thotë Dedushaj për Radion Evropa e Lirë.
Lekaj pranon se është përballur me probleme të këtij lloji, por, sipas tij, ato kanë qenë të dukshme vetëm në fazën fillestare të zbatimit të projektit.
Nga FKGK-ja thonë se, vetëm dy muaj pas lansimit, në shtator të 2024-ës, Fondi ka organizuar trajnime informuese për stafin e bankave, i cili do të merrej direkt me klientët e projektit.
“Ne vazhdimësi, Fondi mban trajnime/sesione informuese për stafin e bankave”, thuhet në përgjigje.
Por, Lirim Krasniqi, analist i politikave në organizatën Germin, që merret me çështje të diasporës, thotë se rezultatet e këtij projekti nuk janë të kënaqshme.
Sipas tij, programi madje nuk është as transparent.
“Për të vlerësuar ndikimin, duhet të publikohen statistika të qarta: numri i aplikimeve, fondet e garantuara, bizneset e themeluara dhe vendet e krijuara të punës. Në mungesë të transparencës, ekziston rreziku i shtimit të mosbesimit dhe pasigurisë”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Për të gjitha këto pyetje, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrinë në detyrë të Financave, por, as pas më shumë se një jave, nuk mori përgjigje.
Shuhet USAID-i, shuhen grantet
Krasniqi, madje, dyshon se mbyllja e aktiviteteve të USAID-it ka ndikuar që mërgimtarët të jenë më të rezervuar për të investuar në Kosovë, pasi fushata informuese është mbështetur prej kësaj agjencie.
USAID-i, po ashtu, synonte t’i mbështeste investitorët e diasporës përmes granteve dhe shërbimeve këshilluese.
Bizneset që përfituan kredi të garantuara nga FKGK-ja, ishin gjithashtu të kualifikuara për grante nga kjo agjenci.
Afati për aplikim ishte nga gushti i vitit të kaluar deri më 31 korrik, 2025.
Por, me vendim të presidentit amerikan, Donald Trump, shumica e aktiviteteve të USAID-it – që në Kosovë ka investuar mbi një miliard euro – janë pezulluar në fillim të këtij viti.
Lekaj thotë se nuk ka pasur mundësi të aplikojë për grante nga kjo agjenci.
“Kur morëm kredinë, agjencia ishte mbyllur. Ky ishte një problem, sepse pas miratimit të kredisë, llogarisnim në grantin e USAID-it, por nuk arritëm të aplikojmë”, thotë ai.
Kriteret për aplikantët kanë qenë që të sigurojnë financim nga një bankë dhe të dorëzojnë kontratën e kredisë së garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.
Shuma e granteve, sipas njoftimit për mundësi financimi të USAID-it, ka qenë nga pesë mijë deri në 30 mijë euro.
Përdorimi i këtij fondi ishte paraparë për trajnim të stafit, shërbime marketingu, blerje të makinerive e të tjera.
Por, me mbylljen e USAID-it, pjesa e grantit nuk aplikohet më, thonë në FKGK.
Sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2024, në diasporë jetojnë rreth 550 mijë njerëz me prejardhje nga Kosova.
Diaspora e Kosovës, ndër vite, ka luajtur rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit përmes remitencave, investimeve në patundshmëri dhe shpenzimeve që bën gjatë pushimeve në Kosovë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, vitin e kaluar, remitencat arritën në mbi 1.3 miliard euro, kurse në periudhën janar-qershor të këtij viti ishin mbi 651 mijë euro.
Investimet direkte në Kosovë në vitin 2024 ishin 850 mijë euro, ndërsa në pesë muajt e parë të këtij viti arritën në 365 mijë euro.
Vlera më e madhe e investimeve është në sektorin e patundshmërive, rreth 277 milionë euro, ku diaspora vlerësohet se ka primatin./Radio Evropa e Lirë/