Krasniqi: VV po sharron edhe më thellë në shkelje kushtetuese
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke e kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për përkeqësimin e krizës politike në vend. Sipas Krasniqit, qëllimi i VV-së është të vazhdojë dhe thellojë krizën, duke e bërë të pamundur përparimin në procese të rëndësishme për Kosovën,…

Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke e kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për përkeqësimin e krizës politike në vend.
Sipas Krasniqit, qëllimi i VV-së është të vazhdojë dhe thellojë krizën, duke e bërë të pamundur përparimin në procese të rëndësishme për Kosovën, transmeton lajmi.net.
“Për mendimin tim, ata po sharrojnë edhe më thellë në shkelje kushtetuese, por këto pasoja do t’i bartin vetë,” tha Krasniqi, duke aluduar në veprimet e LVV-së që kanë bllokuar zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit dhe kanë çuar në një paralizë të funksionimit të institucioneve.
Ai theksoi se ky është një veprim që nuk ka asnjë bazë ligjore dhe mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën.
Krasniqi vazhdoi duke e akuzuar LVV-në se nuk ka interes për zgjidhjen e krizës, përkundrazi, ajo po synon që ta thellojë më shumë.
Ai theksoi se, përkundër mundësisë për të zhbllokuar situatën, Lëvizja Vetëvendosje ka dëshmuar se është më e interesuar për përfitime politike të momentit, duke lënë pas institucionet dhe interesat e qytetarëve.
“Përkundër faktit që ne e mundësuam një proces që do të zhbllokonte krizën politike, do të na nxirrte si politikë, si institucione nga situata, Lëvizja Vetëvendosje qartë nuk e ka këtë qëllim, por e ka për qëllim që ta vazhdojë e ta thellojë krizën. Kjo është një papërgjegjësi e skajshme, vërtetë është një populizëm. Por kjo papërgjegjësi mund të sjellë edhe pasoja,” shtoi ai, duke bërë të qartë se pasojat e këtij qëndrimi do të jenë të dëmshme për gjithë shoqërinë kosovare.
Në përfundim, Krasniqi e krahasoi situatën e krijuar në Kuvend me një spektakël, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka kthyer Kuvendin në një lloj “Big Brother”-i./lajmi.net/