Krasniqi: Ky është bllokim i qëllimshëm nga LVV, ne jemi të gatshëm ta votojmë një kandidat që nuk ka prapa vetës histori të përqarjes

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sot pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit është deklaruar para mediave duke e parë situatën e krijuar në Kuvend sikur situatë për “keqardhje”, pasi sipas tij kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se 73 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, do të duhej të…

Lajme

23/04/2025 10:52

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sot pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit është deklaruar para mediave duke e parë situatën e krijuar në Kuvend sikur situatë për “keqardhje”, pasi sipas tij kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se 73 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, do të duhej të ishte marrë mandati edhe për themelimin e Qeverisë por sipas tij “Lëvizja Vetëvendosje të cilës i takon ta propozoj kryetaren e Kuvendit ka vendosur që ta mbaj peng shtetin për shkak të tekeve të tyre për një emër të përveçëm”.

Ai ka thënë se LVV ka të drejtë ta propozoj kandidatin, por jo t’ia imponoj deputetëve votën.

“Mentaliteti arbitrar I marrjes së votës me zor, nuk ka vend në një sistem demokratik. Ky mentalitet që ne e kemi pa të shpërfaqur edhe në zgjedhje nuk kalon, sepse në zgjedhje të vetmit ndoshta që nuk kanë pas ofertë por kanë pas kërkesë, kanë qenë LVV që kërkonte numër të votave edhe sot po vijnë të na kërkojnë votat neve. Nuk merret vota me zor. Ne jemi këtu, do të ishim të gatshëm edhe sot me e shqyrtu një kandidatur tjetër. Jemi të gatshëm mos më prit 48 orë, sepse nuk është patjetër me prit 48 orë. Rregullorja thotë mos me kalu 48 orë, do të mundeshim me u taku prap nesër, ose prap pasdite. Le të sjellin kandidat apo candidate që mund të jetë I pranishëm për opozitën”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka folur rreth propozimit të AAK-së, për votimin e Saranda Bogujevcit dhe Shqipe Selimit, e që sipas tij, LVV nëse do të donte ta zhbllokonte situatën mund t’i propozonte ato pasi e din që i ka votat.

“Ky takim është pa mandat, sepse po vazhdon e njëjta logjikë e thirrjes së takimeve konsultative që nuk i takojnë kryesuesit të seancës por pikërisht duke u mundu me e dhënë një kontribut për daljen nga kjo situatë, ne kemi marrë pjesë në takim por nga i cili nuk ka asnjë produkt. Ka qenë produkt i këtij mentaliteti që po e them, të idesë që ne kë daum e qesim ju s’keni qare pa e votu. Por jo, asnjëherë në historinë e këtij Kuvendi nuk ka ndodh që shumica parlamentare që në këtë rast nuk ekziston, por atij që I ka taku me e propozu kryetarin e Kuvendit me e kërku votën e opozitës”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se gjatë kohës sa LVV ishte në opozitë, asnjëherë nuk e kanë votuar asnjë kandidat për kryetar Kuvendi.

“Këta nuk kanë shumicë parlamentare, sepse po shihet se as 60 nuk I kanë jo 61, por vetëm 57. Shikoni, nëse 3 herë nuk i merr votat, me çfarë logjike don me ardh pasnesër me na e thënë edhe njëherë emrin e njëjtë. Është fyerje për këtë institucion dhe fyerje për qytetarët sepse është bllokim I qëllimshëm”, ka thënë i pari i PDK-së në lidhje me propozimin e vazhdueshëm të LVV-së për kryeparlamentare.

Ai ka thënë se jemi të gatshëm ta votojmë një kandidat apo kandidate që nuk ka prapa vetes një histori të përqarjes.