Krasniqi i kundërpërgjigjet Lladrovcit: Logjika “unë jam i mirë, e ju të këqij” brenda një partie nuk qëndron, sepse dihet kush ka pasur pushtet dhe kush e ka
Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci, i cili e akuzoi atë dhe disa të tjerë se i ndihmuan Petrit Hajdarit të dal kandidat i PDK-së për Drenas në zgjedhjet lokale. “Tash dolën publikisht dhjetëshja e parë, qytetarët ua shohin fytyrat por edhe ua dinë veprat, asnjë maskë nuk…

Lajme
Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci, i cili e akuzoi atë dhe disa të tjerë se i ndihmuan Petrit Hajdarit të dal kandidat i PDK-së për Drenas në zgjedhjet lokale.
“Tash dolën publikisht dhjetëshja e parë, qytetarët ua shohin fytyrat por edhe ua dinë veprat, asnjë maskë nuk do ti ndihmojnë. Me qytetarët do t’ua tregojmë vendin, keqbërësve dhe bedelëve”, shkroi ndër të tjera Lladrovci.
Krasniqi në postimin e tij tha se kjo logjikë nuk qëndron.
“Por logjika “unë jam i mirë, e ju të këqij” apo “ose jeni përkrahës, ose armiq” brenda një partie, por edhe më gjerë, nuk qëndron, sepse dihet kush ka pasur pushtet dhe kush e ka.”, tha ndër të tjera Krasniqi.
Postimi i plotë:
Unë në politikë dhe në PDK kam hyrë pa ndjekur interesin personal. Edhe pse jam sulmuar për këtë, kam besuar në një qëllim më të madh, në interes të vendit dhe qytetarëve. Po të kisha menduar për veten, nuk do të isha bashkuar me PDK-në. Si djali i Jakup Krasniqit, kam pasur mundësinë t’i bashkohesha cilësdo parti.
Por logjika “unë jam i mirë, e ju të këqij” apo “ose jeni përkrahës, ose armiq” brenda një partie, por edhe më gjerë, nuk qëndron, sepse dihet kush ka pasur pushtet dhe kush e ka. Për sa kohë mendojmë dhe veprojmë në këtë mënyrë, nuk do të meritojmë më mirë se çfarë kemi sot. Sepse vetë i zgjedhim ata që na përfaqësojnë dhe vetë jemi pjesë e asaj që krijojmë.
Unë nuk kam asnjë interes personal, as se kush fiton, as se kush humb. Interesi im i vetëm është qytetari dhe vendi im./lajmi.net/