Krasniqi i ashpër me reagim: Deklarata e Kurtit përçon mesazhin se ish-krerët e UÇK-së duhet të vazhdojnë të mbesin në paraburgim, pa asnjë bazë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi – djali i Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, aktualisht në paraburgim në Hagë – ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij në emisionin “Politiko”. Në komunikatën e tij drejtuar opinionit publik, Krasniqi ka sqaruar se ajo që u përmend në emision…

Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi – djali i Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, aktualisht në paraburgim në Hagë – ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij në emisionin “Politiko”.
Në komunikatën e tij drejtuar opinionit publik, Krasniqi ka sqaruar se ajo që u përmend në emision ka qenë “një bisedë private dhe e sinqertë me babain”, e cila nuk mund të barazohet me deklaratat publike të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka folur për një ndikim të supozuar politik të ish-liderëve të PDK-së.
“Biseda ime mbetet një komunikim familjar dhe personal, ndërsa deklarata e Kurtit vetëm sa e përforcon bindjen dhe përçon mesazhin se ata duhet të vazhdojnë të mbesin në paraburgim…, pa asnjë bazë,” shprehet Altin Krasniqi, transmeton lajmi.net
Ai ka theksuar rëndësinë e kujdesit që institucionet duhet të kenë në deklaratat publike, sidomos kur ato mund të ndikojnë në proceset gjyqësore.
Po ashtu, deputeti i PDK-së ka mohuar pretendimet rreth votimit për Gjykatën Speciale, ku sipas emisionit “Politiko”, babai i tij, Jakup Krasniqi, kishte marrë mikrofonin për ta penguar në votë. Krasniqi e konsideron këtë të gënjeshtërt dhe sqaroi se në atë kohë, babai i tij nuk mbante poste institucionale – as deputet, as kryetar Kuvendi.
“Gjatë votimit të Gjykatës Speciale, babai im nuk ka pasur asnjë funksion institucional, nuk ka qenë as deputet e as kryetar i Kuvendit,” ka deklaruar ai.
Në përfundim, Krasniqi është shprehur për rëndësinë e pavarësisë së punës së deputetëve: “Kuvendi i Kosovës u takon të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve. Secili deputet ka të drejtë të votojë sipas bindjes së vet, pa presion dhe pa pengesa. Deputetët nuk janë aty për të përmbushur interesat personale, por për të përfaqësuar qytetarët e vendit.”/lajmi.net/