Krasniqi-Goodman: Së shpejti me institucione të reja, larg familjarizmit e klientelizmit
Vasfije Krasniqi-Goodman, gruaja e parë që foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte kandidate për deputete në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën dje.
Lajme
Ajo në listën e Vetëvendosjes, e cila parti deri në numërimin e deritanishëm të fletëvotimeve del të jetë partia e parë.
Krasniqi-Goodman shkruan për maturinë e krijuar nga qytetarët gjatë procesit zgjedhor. Ndërsa për rezultatin e VV-së, ajo thotë se së shpejti Kosova do të ketë institucione të reja e me koncepte të reja bashkëkohore e larg familjarizimit e klientelizmit.
“Këto zgjedhje të jashtëzakonshme, kjo ditë e shënuar për të ardhmen e popullit të cilit i përkas, folën për një kulturë të lartë demokratike, që elektorati shprehu gjatë procesit të votimit. Në kushte kohore, shëndetësore e politike, që mund të koincidojnë veç̧ një herë në njëmijë, populli i Republikës së Kosovës, demonstroi qetësi, maturi dhe entuziazëm njëkohësisht. Kjo është fitorja e parë, e dyta është ajo që tashmë e njohim: predominimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Së shpejti do të kemi institucionet e reja, me njerëz të rinj e që do të drejtojnë me mentalitet të ri, me koncepte të reja bashkëkohore, larg familjarizmit e klientelizmit të dekadës së fundit. Me porositë e të madhes Nënë Tereze, që shihen lart mbi kokat tona, unë vërtet ju uroj të gjithëve! Urime Kosovë! Përpara Kosovë!”, ka shkruar Krasniqi-Goodman në Facebook, ku ka postuar edhe një fotografi me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin.