Krasniqi flet për ofertë të re

Jakup Krasniqi po e qartëson edhe më tutje rrugën e tij politike, me deklarata. Vlerëson se në skenën politike duhet një rirreshtim i ri dhe ndryshim i thellë. Thotë se me krijimin e partisë s’ka qëllim ta dëmtojë PDK’në, por të ofrojë një ofertë e re.

Lajme

29/12/2013 19:22

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili kohë më parë ka lënë të kuptohet se nuk do të kthehet më në Partinë Demokratike të Kosovës, është duke e qartësuar gjithnjë e më tepër rrugën e tij politike, pas çarjes me partinë e tij.

Në një intervistë për Radio Kosovën, ai ka folur për krijimin e një subjekti të ri politik, duke konstatuar se vendi ka nevojë për një ofertë të re politike.

I pyetur për konfirmimin që ka dhënë ditë më parë lidhur me mundësinë e formimit të një partie të re politike, bashkë me Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi ka qenë i qartë.

“Sigurisht, jo vetëm me z. Limaj, por unë konsideroj se në skenën politike në Kosovë duhet të rirreshtim i ri”.

“Kjo strukturë politike në Kosovë e ka bërë atë që ka mundur ta bëjë. Mendoj që nuk mund të shkojë përtej dhe duhet të ketë një ndryshim të thellë edhe në politikën në Kosovë, edhe në organogramin politik të Kosovës.”

“Sigurisht që ka të interesuar nga të gjitha kategoritë shoqërore të qytetarëve të Kosovës për të parë një subjekt politik që mendon dhe do të qeverisë më ndryshe në vendin tonë.”

Jakup Krasniqi ka pohuar më tutje se nuk synon ta dëmtojë PDK’në.

“Jo, qëllimi ynë nuk është ta dëmtojmë asnjë subjekt politik. Qëllimi ynë është që qytetarëve t’ua ofrojmë një ofertë të re.”

Ai nuk ka shpalosur detajet si do të quhet partia e re, kush do ta udhëheqë atë dhe cili do të jetë orientimi i saj.

“Ne jemi duke menduar për këtë dhe pasi të merret vendimi, caktohen njerëzit për të bërë programin e partisë, statutin e partisë dhe unë nuk do të flas për gjërat që do të ndodhin.”

“Aty duhet të punojnë njerëzit që kanë njohuri, që përcaktojnë politikat, por ajo çka mund të them është se do të jetë një subjekt që vendimmarrja do të jetë në organet për të cilat merremi vesh t’i formojmë.”

Ai ka përsëritur se nuk është me në strukturat e organizuara të PDK’së, ndërsa ka shtuar se ai nuk mund të jetë anëtari i thjeshtë.

“Këtë opinioni duhet ta dijë. Unë nuk mund të jem anëtar i thjeshtë i një partie politike. Unë kam qenë themelues, drejtues, organizator i një partie me të cilën kam vërejtjet të mëdha dhe tash për tash nuk shoh asnjë arsye të jem pjesë përbërëse e atij subjekti.”

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, po ashtu, në vijim të intervistës për Radio Kosovën, ka deklaruar se nuk është i sigurt nëse do ta mbajë postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës deri në fund të mandatit.

“Për këtë, do të shikoj… Sigurisht që nuk është e sigurt”.