‘Krahu i luftës’ në krah me Dacicin

Lideri i Vetëvendosjes tha se në udhëheqjen e Komunës së Skenderajt janë njerëzit e paditur, edhe të pakulturuar, prandaj, sipas tij, s’mund të presësh dije dhe kulturë nga kjo udhëheqje.

Lajme

21/10/2013 16:43

Albin Kurti deklaroi sot, gjatë një tubimi elektoral në Skenderaj, se kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje  e kanë edhe dijen e mençurinë për zhvillim, e kanë edhe guximin e patriotizmin për ballafaqim, e kanë edhe punën e ndershmërinë për drejtësi.

Lideri i Vetëvendosjes tha se në udhëheqjen e Komunës së Skenderajt janë njerëzit e paditur, edhe të pakulturuar, prandaj, sipas tij, s’mund të presësh dije dhe kulturë nga kjo udhëheqje.

“Edhe në Skenderaj, sikur se në Komunës tjera të Kosovës, pushteti shtron dreka e darka për arsimtarët e varfër e për veteranët e papunë. Populli ynë e ka një fjalë të urtë që e shpjegon shumë mirë dallimin thelbësor, ‘ai që ta do të mirën, të shtron darkë që ta ngopësh barkun, kurse ai që ta do të keqen, të shtron darkë që ta mbyllësh gojën, që derisa të përtypesh të mos mund të flasësh”.

“E pushteti këtu, sikurse edhe në Komunat tjera të Kosovës nuk po iu kthen bukë veteranëve që kanë nevojë që Kosova të ketë ushtri e ata vende pune, nuk po iu kthen bukë arsimtarëve që kanë nevojë për kushte pune e nxënës jo të uritur e të sëmurë para vetes, por po iu kthen bukë në mënyrë që këta të heshtin e ta përpijnë këtë sundim jodemokratik që po ia pi gjakun popullit, e po ua vjedh djersën qytetarëve”.

“Po thonë shpesh, ‘krahu i luftës’. Po – krahu i luftës me pushkë në krah, e jo krahu i luftës krah për krah me Dacicin”.

“Këta pushtetarët nuk kanë as komb, as shoqëri, as qytetarë, as individ. Këtë e tregon parulla e tyre: familja, prona, shteti. E kjo i bie, ‘familjet tona, me prona të uzurpuara, me na e mbrojt shtetin’. Te familja, prona, shteti, thelbësore është ajo që mungon. Në njërën anë mungon kombi e shoqëria, e në anën tjetër mungon qytetari e individi. Kjo që mungon është e vërteta e kësaj parulle mafioze”.

Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje do të qeveris me Alternativë, kurse këta tjerët, shtoi ai,  janë sundimi klanor pa alternativë.

“Prandaj, para kutive të votimit, para atyre shumë opsioneve, janë dy zgjedhje dhe vetëm njëra është zgjidhje. E kjo është Vetëvendosje!, që me organizatën e saj po e ndërton dhe do ta mbrojë fitoren e Ajnishahe Halimit për Kryetare të Komunës së Skenderajt”.

Deputeti Rexhep Selimi, para të pranishmëve në këtë tubim tha se si kudo në Kosovë, e sidomos këtu në Drenicë, Vetëvendosja do të mbrojë votën.

“Do ta mbrojë lirinë e votës, këtë liri që ashtu si të gjitha liritë tjera, më së shtrenjti e ka paguar Drenica, e sidomos Skenderaj”.

“Drenica meriton të votojë lirshëm. Drenica meriton të vendos lirshëm. Këtu është kërkuar vota në emër të ‘krahut të luftës’. Kush është ky ‘krah i luftës’? Ku është ai “krahu i luftës”? Nuk ka krah tjetër të luftës, përveç popullit. Krahu i luftës, është populli”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i takon askujt tjetër përveç popullit që e ka bërë këtë luftë”.