KQZ thërret mbledhje- pritet zyrtarizimi i vendimit të PZAP për certifikimin e Listës Serbe

Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë javën e kaluar si të palejuar ankesën administrative të Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Në aktvendim, Gjykata thekson se Kurteshi dhe Krasniqi nuk kanë legjitimitet për…

Lajme

01/09/2025 12:56

Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë javën e kaluar si të palejuar ankesën administrative të Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Në aktvendim, Gjykata thekson se Kurteshi dhe Krasniqi nuk kanë legjitimitet për të paraqitur ankesë në emër të tyre, pasi nuk janë palë të drejtpërdrejta sipas vendimit të PZAP-it.

Ky i fundit kishte marrë vendim më 23 gusht 2025, duke aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të KQZ-së që kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

“Hedhet poshtë si e palejuar ankesa e parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, me vendbanim në Prishtinë, të dy anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) A.nr.3/2025, të datës 23.08.2025”, thuhej në vendim e Supremes.

E në lidhje me këto zhvillime Komisionit Qendror Zgjedhor do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës.

Në njoftimin e KQZ-së thuhet se si pikë e tretë e rendit të ditës është edhe kjo çështje.

“3. Njoftim lidhur me zbatimin e vendimeve të plotfuqishme të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa:”/Lajmi.net/