KQZ: Nesër rezultati i votimit elektronik në Vorë dhe njësinë 10 në Tiranë

Kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, në një konferencë për media u bëri thirrje partive politike që të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje. Ai tha se procesi i votimit ka kaluar në përputhje me rregullat dhe standardet. “Në vlerësimin tonë, bazuar në atë që KQZ ka monitoruar, procesi ka shkuar në pjesën dërmuese me…

Lajme

11/05/2025 21:56

Kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, në një konferencë për media u bëri thirrje partive politike që të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje.

Ai tha se procesi i votimit ka kaluar në përputhje me rregullat dhe standardet.

“Në vlerësimin tonë, bazuar në atë që KQZ ka monitoruar, procesi ka shkuar në pjesën dërmuese me një përjashtim sporadik, në përputhje me të gjitha rregullat e standardet. Problematikat e konstatuara kryesisht në mëngjes në momentin e hapjes së votimit janë adresuar menjëherë nga Komisioni Qendror Zgjedhor, përfshirë problematika me paraqitjen e komisionarëve në qendrat e votimit. Edhe me këtë rast sjell në dijeni votimi elektronik ka shkuar mirë, përjashtuar katër rastet”, tha Celibashi.

Ai u bëri thirrje partive politike që të demonstrojnë qetësi dhe vetëpërmbajte, pasi tashmë fillon një tjetër fazë e rëndësishme ajo e numërimit.

“Ajo çfarë të gjithë do të duhet të kemi në vëmendje, qetësia që duhet të kenë partitë dhe udhëheqësit politike. Është e këshillueshme që deklarimet për rezultatet që vijnë pas vlerësimit të fletëve të votimit nga partitë politike janë pa asnjë lloj vlerë dhe janë me kontribute jo pozitive në mbarëvajtjen e procesit… Votat janë në kutitë e votimit dhe duhet të presim me durim numërimin”, tha Celibashi.

“Rezultatin paraprak do të kemi jo më vonë se pasditja e ditës së martë. KQZ nuk do të tolerojë asnjë rast apo iniciativë që shkon kundër integritetit të numërimit”, ka thënë ai.

Për sa i përket numërimit të votave të diasporës, Celibashi tha se procesi i votimit të votave nga jashtë është përgjegjësi e grupeve të numërimit të ngritura për këtë qëllim dhe komisionit përkatës.

Ndërsa rreth rezultatit në njësinë administrative numër dhjetë në Tiranë dhe bashkinë e Vorës, Celibashi tha se rezultati pritet të dihet nesër në mëngjes, rreth orës tetë ose nëntë, raporton KosovaPress.

KQZ ende nuk ka daljen totale të votuesve në zgjedhjet e sotme parlamentare, por sipas atyre të orës 18:00 kjo përqindje është 41.37.