KQZ miraton planin operacional për ditën e zgjedhjeve dhe lejon votimin me dokumente të skaduara në përfaqësitë diplomatike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 61-të për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku janë miratuar disa vendime të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Në mbledhjen e zhvilluar në mënyrë elektronike, KQZ miratoi Procedurën Standarde të Veprimit për aktivitetet në Qendrën…

Lajme

03/06/2026 22:54

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 61-të për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku janë miratuar disa vendime të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e zhvilluar në mënyrë elektronike, KQZ miratoi Procedurën Standarde të Veprimit për aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Dokumenti përcakton organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e QNR-së gjatë administrimit të materialeve zgjedhore dhe numërimit të votave, duke përfshirë të gjitha fazat e procesit nga pranimi i materialeve zgjedhore deri te publikimi i rezultateve përfundimtare, transmeton lajmi.net.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i marrë nga KQZ është lejimi i votimit me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës me afat të skaduar për qytetarët e regjistruar për votim në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit. Ky vendim është marrë pas rasteve të evidentuara gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare, kur disa votues ishin paraqitur në vendvotime me dokumente të skaduara.

Po ashtu, KQZ miratoi planin operacional për ditën e zgjedhjeve më 7 qershor 2026. Plani përcakton organizimin, koordinimin dhe përgjegjësitë e zyrtarëve të angazhuar në administrimin e procesit zgjedhor brenda dhe jashtë Kosovës. Ai përfshin funksionalizimin e qendrave të votimit, shpërndarjen e materialeve zgjedhore, raportimin e pjesëmarrjes dhe rezultateve preliminare, si dhe menaxhimin e situatave operative gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në kuadër të informimit të publikut për ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ ka miratuar edhe planin e konferencave për media.

Për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike më 6 qershor, KQZ do të mbajë tri konferenca: në orën 09:00 për fillimin e votimit, në orën 14:00 për pjesëmarrjen dhe ecurinë e procesit, si dhe në orën 20:00 për mbylljen e votimit në përfaqësitë diplomatike në Evropë. Një njoftim shtesë për përfundimin e votimit në të gjitha përfaqësitë diplomatike do të publikohet në orën 01:00.

Ndërkaq, më 7 qershor, në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, KQZ do të mbajë pesë konferenca të rregullta për media. Konferenca e parë do të mbahet në orën 08:00 për fillimin e procesit të votimit, ndërsa konferencat pasuese do të raportojnë mbi pjesëmarrjen e qytetarëve dhe ecurinë e procesit zgjedhor gjatë ditës. Konferenca e katërt, e planifikuar për orën 19:30, do të njoftojë për përfundimin e votimit dhe fillimin e numërimit të fletëvotimeve. Koha e konferencës së pestë, në të cilën do të publikohen rezultatet e përmbledhura preliminare të subjekteve politike, do të bëhet e ditur nga KQZ në një moment të mëvonshëm.

Me këto vendime, KQZ synon të sigurojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe transparencën e plotë gjatë administrimit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Komunikata e plotë: 

Mbledhja 61: Plani operacional për ditën e zgjedhjeve; dokumentet e lejuara për identifikim për votim në përfaqësi diplomatike dhe orari i konferencave për 6 dhe 7 qershor

Prishtinë, 3 qershor 2026 – Komisioni Qendror i zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 61-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi. Vendimet u morën në mbledhje elektronike.

Sipas pikës së parë të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e procedurës standard të veprimit për aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Kjo procedurë përcakton organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e QNR-së gjatë administrimit të materialeve zgjedhore dhe numërimit të votave. Dokumenti rregullon të gjitha fazat e procesit, duke filluar nga pranimi i materialeve zgjedhore nga Qendrat Komunale të Numërimit, votimi me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi nga jashtë Kosovës, e deri te numërimi, verifikimi, rinumërimi eventual, tabulimi dhe publikimi i rezultateve. Po ashtu, procedura përcakton rregullat për transparencën, praninë e vëzhguesve të akredituar, kontrollin e procesit, trajtimin e ankesave, masat disiplinore në rast shkeljesh dhe mbylljen përfundimtare të QNR-së pas përmbylljes së të gjitha aktiviteteve zgjedhore.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim që që votuesve të regjistruar për votim në përfaqësitë diplomatike jashtë Kosovës t’u lejohet votimi me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë. Ky vendim i KQZ-së vjen pas evidentimit të disa rasteve gjatë procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike në zgjdhjet e kaluara për Kuvendin e Kosovës, i mbajtur më 8 shkurt 2025 dhe 27 dhjetor 2025, janë evidentuar raste të votuesve të cilët janë paraqitur me dokumente identifikimi të skaduara. Pas njoftimit për këto raste, KQZ ka marrë vendim për lejimin e votimit me dokumente të skaduara të identifikimit.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional për ditën e zgjedhjeve, 7 qershor 2026. Ky plan, përcakton organizimin, koordinimin dhe përgjegjësitë e zyrtarëve të angazhuara në administrimin e procesit zgjedhor brenda dhe jashtë vendit. Dokumenti përshkruan aktivitetet që lidhen me përgatitjen dhe funksionalizimin e Qendrave të Votimit, shpërndarjen e materialeve zgjedhore, komunikimin institucional, raportimin e pjesëmarrjes dhe rezultateve preliminare, si dhe menaxhimin e situatave operative gjatë ditës së zgjedhjeve. Po ashtu, plani parasheh funksionimin e dhomave operative për koordinim dhe mbështetje, bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë, energjinë elektrike dhe mbështetjen teknike, si dhe përcakton ekipet dhe zyrtarët përgjegjës për informimin e votuesve, komunikimin me mediat, mbështetjen logjistike, teknologjinë informative, verifikimin e vëzhguesve dhe detyra të tjera të nevojshme për garantimin e një procesi zgjedhor.

Gjithashtu, me qëllim të informimit për ecurinë e procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, KQZ miratoi planin e konferencave për ditën e zgjedhjeve në përfaqësitë diplomatike më 6 qershor 2026 dhe për ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës 7 qershor 2026.

Më 6 qershor 2026, për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike, KQZ do të mbajë 3 konferenca, në këto orare:

· 09:00 – Konferenca e parë: KQZ njofton për fillimin e procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike;

· 14:00 – Konferenca e dytë: KQZ njofton për pjesëmarrjen dhe ecurinë e votimit në përfaqësitë diplomatike;

· 20:00 – Konferenca e tretë: KQZ njofton për mbylljen e votimit në përfaqësitë diplomatike në Europë; dhe

· 01:00 – Njoftim për media: Përfundimi i votimit në përfaqësitë diplomatike.

Ndërkaq, në ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, më 7 qershor 2026, KQZ do të mbajë 5 konferenca të rregullta, në këto orare:

· 08:00 – Konferenca e parë: KQZ njofton për fillimin e procesit të votimit;

· 11:30 – Konferenca e dytë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor;

· 15:30 – Konferenca e tretë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë;

· 19:30 – Konferenca e katërt: KQZ njofton për përfundimin e procesit të votimit, ecurinë e përgjithshme të tij, pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe për fillimin e numërimit të fletëvotimeve; dhe

· Konferenca e pestë: Për kohën e mbajtjes së konferencës së pestë, për publikimin e rezultateve të përmbledhura preliminare të subjekteve politike, KQZ-ja do të njoftojë me kohë./lajmi.net/