KQZ-ja pa buxhet për zgjedhje të jashtëzakonshme, Elezi: Do të kërkojë fonde për organizimin e tyre
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i duhet të kërkojë buxhet nga Qeveria e Kosovës nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare pas dështimit të formimit të Qeverisë po shihet si një rrugë e pashmangshme, por për organizimin e tyre institucioni i zgjedhjeve nuk ka buxhet në llogari.…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i duhet të kërkojë buxhet nga Qeveria e Kosovës nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare pas dështimit të formimit të Qeverisë po shihet si një rrugë e pashmangshme, por për organizimin e tyre institucioni i zgjedhjeve nuk ka buxhet në llogari.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Indeksonline se në raste të tilla kur ndodhin zgjedhje të paplanifikuara, ky institucion do të veprojë si në rastet e kaluara.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar. Prandaj, nëse do ketë zgjedhje, KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur në një vit jo-zgjedhor”, tha Elezi.
Në anën tjetër, Elezi ka treguar se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për të përmbushur mandatin kushtetuese nëse do të shpallen zgjedhjet.
“Lidhur me diskutimet për zgjedhje të reja për Kuvendin e Kosovës, KQZ ka bërë të ditur qëndrimin se ashtu siç kemi thënë çdo herë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore, në çdo moment kur një proces zgjedhor shpallet në mënyrë zyrtare”, tha Elezi.
Ai kujtoi se aktualisht KQZ është e angazhuar në përmbyllen e zgjedhjeve të 12 tetorit dhe organizimin e raundit të dytë.
“Aktualisht, KQZ është duke u angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe duke zhvilluar përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave që do të mbahet më 9 nëntor”, tha ai.