KQZ është e gatshme për zgjedhje

Valdete Daka thotë se KQZ është e gatshme që të organizojë zgjedhje kurdo që ato shpallen. Por, ajo pranon se nëse afati është më i shkurtër, sfidat për organizimin e zgjedhjeve do të jenë më të mëdha.

Lajme

06/02/2014 17:54

Gjashtë shkurti është dita botërore e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka shënuar këtë ditë dhe Valdete Daka ua ka uruar atë votuesve në Kosovë.

Ajo shpreson që ky vit zgjedhor të jetë i mbarë për të gjithë.

“E kemi ditën globale të zgjedhjeve. Ne sot në mënyrë festive e kemi mbajtë një mbledhje solemne të KQZ’së pa ndonjë agjendë, përveç se me këtë rast i drejtohemi të gjithë qytetarëve, të gjithë votuesve të Kosovës, e ua urojmë këtë ditë”.

“Natyrisht që shpresojmë që ky vit zgjedhor që sapo kemi hyrë do të jetë i mbarë për KQZ’në dhe do të jetë i mbarë për të gjithë votuesit dhe zgjedhjet e ardhshme në prag të të cilave jemi, do të kalojnë ashtu siç ne pretendojmë”.

“Do të jenë fer, demokratike dhe të lira”.

Valdete Daka thotë se KQZ’ja do të bëj ç’është e mundur që zgjedhjet parlamentare të jenë më të suksesshme se ato lokale.

Por, ajo thotë se zgjedhjet e mira varen nga një sërë faktorësh, e veçmas nga partitë politike.

“Sa i përket KQZ’së, ne do të mundohemi dhe do të bëjmë të gjitha ato që janë në kompetencat tona që këto zgjedhje të jenë edhe më të mira se ato lokale.”

“Natyrisht se ka shumë faktorë të cilët ndikojnë në kualitetin e zgjedhjeve, dhe shpresojmë se edhe subjektet politike, një ndër bartësit kryesor të zgjedhjeve, do të jenë përësi aq të vëmendshëm, ashtu siç kanë qenë edhe për zgjedhjet lokale.”

KQZ pohon se është e gatshme që të organizojë zgjedhjet kurdoherë që ato shpallen. Por, Kryetarja Valdete Daka e pranon se nëse afati është më i shkurtër, sfidat për organizimin e zgjedhjeve do të jenë më të mëdha.

“Ne jemi të gatshëm. Ne e kemi obligim kushtetues që t’i organizojmë zgjedhjet, dhe kurdoherë që ato shpallen. Natyrisht që sa më i shkurtër afati, sfidat janë më të mëdha”.

“Por, megjithatë ne kemi obligim që t’i organizojmë zgjedhjet”.