KQZ: Edhe 10 ditë afat për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

Vetëm edhe 10 ditë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të mund të votojnë përmes postës në zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale. Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar të dhënat e fundit nga procesi…

Lajme

20/08/2025 09:59

Vetëm edhe 10 ditë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të mund të votojnë përmes postës në zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.

Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar të dhënat e fundit nga procesi i regjistrimit.

“Prej gati një muaji është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, e cila do të përfundojë pas 10 ditësh. Nga data 23 korrik dhe deri të martën, më 19 gusht, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 9,961 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 7,681, ndërkaq janë refuzuar 2,280”, tha Elezi.

Sipas tij, në shumicën e rasteve, aplikuesit nuk kanë paraqitur dëshmi për adresën e tyre jashtë Kosovës.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës. KQZ është duke e informuar individualisht çdo aplikues të refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të riaplikojnë duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, votimi përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025. Ky proces do të vlejë vetëm për votuesit që arrijnë të regjistrohen deri më 29 gusht.