KQZ e shqetësuar për afatet

Gjatë ditës pritet të mbahet një takim trepalësh KQZ- PZAP- OSBE në përpjekje për t’i dhënë fund telasheve me periudhën e ankimimeve të serbëve, proces i cili po vazhdon edhe më tej.

Lajme

21/10/2013 12:04

Anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë shprehur sot shqetësimin e tyre për sagën e pafund të ankimimeve të serbëve që jetojnë jashtë Kosovës.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) është ende duke shqyrtuar ankesat e aplikacioneve të serbëve të cilat ishin refuzuar paraprakisht nga KQZ, sado që deri në ditën e zgjedhjeve kanë mbetur më pak se dy javë dhe lista e votuesve nuk është mbyllur ende.

Për t’i dhënë fund kësaj periudhe, në mbledhjen e sotme të KQZ’së, anëtari i këtij komisioni nga LDK Florian Dushi propozoi që të caktohet një datë deri kur PZAP mund të pranojë ankesa të tilla.

“Propozoj që KQZ ta rishikojë bazën ligjore dhe të vendosë një afat përtej të cilit nuk do të pranojë asnjë aplikacion dhe do ta konsiderojë si vendim që është sjellë pas afatit nga ana e PZAP. Kërkoj që shembull të jetë data 23 tetor apo dita e mërkurë pas të cilës KQZ nuk do t`i trajtoj dhe nuk do t`i marrë në konsideratë këto vendime”, ka thënë Dushi.

“Përcaktimi i afateve është urgjente ose i një limiti të epërm kur është koha kur është dita, kur është mundësia e fundit e KQZ`së që t`i implementojë këto vendime të PZAP`it”.

“Nëse e shohim afatin e fundit kur është përmbyllë ky proces i përcjelljes së këtyre vendimeve të KQZ`së mbi refuzimin e aplikacioneve nga ana e OSBE`së është praktikisht rreth datës 10 tetor. 11 ditë në fakt kanë kaluar prej asaj dite dhe në bazë të informatave ne e shohim që procesi po vazhdon dhe që gjasat për të vazhduar më tutje ndoshta deri krejt afër ditës së zgjedhjeve janë të mëdha” , ka thënë Dushi.

Por propozimi i tij nuk është pranuar nga anëtari i PDK’së, Betim Gjoshi derisa OSBE dhe PZAP nuk kanë bërë ende një raport përfundimtar për këtë proces.

Ndërsa Ilir Gashi, anëtar tjetër nga PDK tha se KQZ, OSBE dhe PZAP do të duhej të takoheshin gjatë ditës për ta parë deri ku ka shkuar procesi.

Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje e ka quajtur këtë si proces të motivuar politikisht.

“Unë mendoj që ky vendim është komplet i motivuar politikisht dhe PZAP bashkë me disa zyrtarë të OSBE’së qëllimshëm janë duke e prolonguar që mos të ketë mundësi për t’u apeluar vendimi i PZAP në Gjykatë Supreme që pastaj të hedhen poshtë këto vendime”.

Në mbledhjen e sotme janë akredituar gjashtë grupe të vëzhguesve ndërsa i është revokuar certifikimi një vëzhguesi serb nga subjekti politik Centar Demokratske Unije, pasi që i njëjti ka rezultuar të jetë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa ligji e parandalon një gjë të tillë.