KQZ akrediton vëzhguesit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim sot për akreditimin e 26 organizatave vëzhguese, si: organizata ndërkombëtare, organizatave jo-qeveritare dhe përfaqësitë diplomatike në Republikën e Kosovës, me 521 vëzhgues për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në fillim, para se të miratohej numri i organizatave ishte 33 me 1 mijë e 34 vëzhgues, porse…

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim sot për akreditimin e 26 organizatave vëzhguese, si: organizata ndërkombëtare, organizatave jo-qeveritare dhe përfaqësitë diplomatike në Republikën e Kosovës, me 521 vëzhgues për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në fillim, para se të miratohej numri i organizatave ishte 33 me 1 mijë e 34 vëzhgues, porse Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë diskutuar për numrin e vëzhguesve që organizatat i kanë dërguar për akreditim. Dyshime ka pasur edhe për veprimtaritë e tyre, veçanërisht për një organizatë joqeveritare “Fuqia e Zërit” me 259 vëzhgues.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi tha se nuk ka dëgjuar më herët për organizatën “Fuqia e Zërit” derisa ka vlerësuar se numri i vëzhguesve të cilët ajo i ka dërguar për akreditim është shumë i madh.
“Ishte një organizatë që s’kam dëgjuar përpara e me numër shumë të madh të vëzhguesve. A ka mundësi vetëm ndonjë sqarim, sepse vërtetë unë s’kam dëgjuar për këtë organizatë joqeveritare e numri është shumë i madh. Kur më thuhet që më 23 shtator është organizua një organizatë dhe me 1 tetor vjen me 259 vëzhgues unë shumë po dyshoj”, tha ai.
Anëtari tjetër i KQZ-së, Alban Krasniqi tha se ekziston rreziku i futjes së ndikimeve të huaja nën petkun e vëzhguesve.
“Ekziston rreziku permanent i futjes së ndikimeve të huaja nën petkun e vëzhguesve. Nuk është kaq lehtë… vjen dikush me 200, 40 a 50 anëtarë që këqyrin me i vëzhgua. Funksionimi i këtyre organizatave duhet me qenë parakusht. Këtu kemi organizatave tërësisht të reja anonime të panjohura që kanë sjell numër të madh të vëzhguesve. Organizatë joqeveritare për njohuri të juaja është ajo organizata joqeveritare e cila ka shkua më 2014 edhe ka bo invazion në Krime. Veç me kuptua çka mundet me u fsheh nën petkun e organizatave. Duhet me pas një dakordancë se cilat kalojnë dhe me pas shtyrje të afatit për të tjerat”, tha ai.
Edhe anëtari tjetër Arianit Elshani shtoi se kjo organizatë ka dërguar numër shumë të madh në krahasim me organizatat e tjera.
“Unë nuk jam për miratimin e të gjithave dhe rekomandoj që të votohen veç e veç secila organizatë. Të tjerat të kemi mundësi për rishikim nga zyra”, theksoi ai.
Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, ka mbetur që të rishikoj organizatat të cilat nuk u akredituan sot.