KPK-ja miraton kërkesën e parë buxhetore për vitin 2026, njëri anëtar kishte vërejtje në dokument
Në mbledhjen e 269-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), pas prezantimit nga drejtori i Sekretariatit, Sami Istrefi, u miratua kërkesa buxhetore për vitin 2026, e për të cilën kishte vërejtje anëtari i Këshillit, Visar Krasniqi. Paraprakisht, kërkesa u elaborua nga Istrefi, duke renditur si sfida fillimisht mungesën e buxhetit për pozitat e nevojshme, mungesën…

Lajme
Në mbledhjen e 269-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), pas prezantimit nga drejtori i Sekretariatit, Sami Istrefi, u miratua kërkesa buxhetore për vitin 2026, e për të cilën kishte vërejtje anëtari i Këshillit, Visar Krasniqi.
Paraprakisht, kërkesa u elaborua nga Istrefi, duke renditur si sfida fillimisht mungesën e buxhetit për pozitat e nevojshme, mungesën e buxhetit në paga dhe mëditje, si dhe në mallra dhe shërbime.
Sipas Istrefit, për shkak të mosplotësimit të kërkesave nga pushteti ekzekutiv për ndarje të parcelave, ka mbetur pa u ndërtuar objekti i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ai në Prizren.
Po ashtu, Istrefi tha se mbi 27 milionë euro i nevojiten sistemit prokurorial, në mënyrë që të mund të funksionojë.
Lidhur më këtë, mori fjalën anëtari Arian Gashi, duke thënë se të mos miratohen fare kërkesat buxhetore nga pushteti ekzekutiv, është e pakuptimtë.
“Jo gjithmonë kërkesa buxhetore miratohet në tërësi, por që të mos miratohet fare, këtë nuk e di”, tha Gashi.
Gashi theksoi se për shkak të mungesave buxhetore, sistemi prokurorial nuk ka arritur të përmbush obligimet ligjore. Tha se ka raste kur kanë pranuar staf dhe nuk janë paguar apo edhe kujdestaritë e mbajtura nga prokurorët, për shkak të mungesës së buxhetit nuk janë paguar.
Kurse, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, tha se mediet, partnerët ndërkombëtarë dhe shoqëria civile, duhet të bëjnë presion pozitiv te pushteti ekzekutiv për plotësim të kërkesave buxhetore.
“Mosmbështetja me buxhet nënkupton pengesë të drejtësisë në Kosovë”, tha Kelmendi.
Më pas, Visar Krasniqi tha se përkrah në tërësi kërkesat buxhetore që janë të sistemit prokurorial, por tha se dokumenti i prezantuar ka disa mangësi.
Sipas tij, para dorëzimit të kërkesës buxhetore, mangësitë e dokumentit- ku nuk i referohet fare ndryshimeve ligjore të KPK-së apo kur thuhet se si sfidë është plotësimi i pozitave me anëtarë joprokurorë, duhet të eliminohen.
Krasniqi tha se kur thuhet se një prokurori e caktuar ka nevojë për prokurorë shtesë në kërkesë buxhetore, të specifikohet se sa prokurorë shtesë ka nevojë, përveç që sipas tij janë të specifikuara në formë tabelare.
Krasniqi kërkoi sqarim se a është nevoja për 31 apo 21 prokurorë të rinj, pasi që ka dilema bazuar në atë se çka shkruhet në dokument.
Për këtë, Istrefi tha se është si gabim dhe do të përmirësohet pasi që ka qenë fjala për 31 prokurorë.
Po ashtu, Krasniqi tha se në dokument figurojnë katër komisione të përhershme të KPK-së dhe se sipas tij, kjo duhet të rregullohet pasi që me plotësim/ndryshimet e reja ligjore parashihen vetëm tri komisione dhe se angazhimi i prokurorëve në komisionin që nuk parashihet me ligj ka kosto buxhetore.
Ndërkaq, anëtari Veton Shabani tha se kërkesa buxhetore nga pushteti ekzekutiv duhet të trajtohet si procedurë e jo diskutim se a të plotësohen kërkesat buxhetore. Tha se duhet të bëhet e qartë se sistemi i drejtësisë është tërësisht pushtet i ndarë./BetimipërDrejtësi