Kostoja e lartë financiare shtyn të mbijetuarat e dhunës seksuale të heqin dorë nga ndjekja e rrugëve ligjore

Procesi për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës po shkakton barrierë emocionale dhe financiare. Të mbijetuarat po detyrohen të heqin dorë nga ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar drejtësi, për shkak të kostos së lartë financiare. Organizatat joqeveritare të cilat trajtojnë rastet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës thonë…

Lajme

01/06/2025 14:16

Procesi për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës po shkakton barrierë emocionale dhe financiare. Të mbijetuarat po detyrohen të heqin dorë nga ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar drejtësi, për shkak të kostos së lartë financiare.

Organizatat joqeveritare të cilat trajtojnë rastet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës thonë se shumica prej tyre jetojnë në kushte jo të mira. Që prej kohës kur ka nisur aplikimi për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale janë refuzuar rreth 350 kërkesa. Jo të gjitha rastet kanë ndjekur rrugën ligjore.

Fatmire Haliti, e cila është juriste në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thotë se inicimi i procedurave gjyqësore ka kosto të lartë financiare.

“Çdo procedurë, sidomos kur vjen puna tek gjykata që duhet të iniciohet procedurë gjyqësore ka një kosto financiare, ku në ato raste ku nuk kanë ndonjë mbështetje apo nuk e dinë se si të kërkojnë ndihmë tek organizatat joqeveritare që ofrojnë këtë mbështetje pa pagesë, ato duhet të kërkojnë ndihmë juridike, qoftë përmes Agjencisë për Ndihmë Juridike falas që ja harton ankesën kundër vendimit të komisionit e pastaj padi në gjykatë. Por, ka raste edhe kur drejtpërdrejt shkojnë tek avokatët dhe përmes avokatëve e përpilojnë padinë dhe e dorëzojnë në gjykatë. Në këto raste, në momentin që e dorëzojnë padinë në gjykatë, është një taksë gjyqësore prej 50 euro që duhet ta paguajnë qysh në fillim, mandej çdo shkresë të hartuar nga avokatët që i angazhojnë privatisht duhet të paguhen, po ashtu çdo seancë që e mbajnë në gjykatë duhet të paguhen avokatët e po ashtu në rast se duhet edhe instanca tjera të shkojë rasti duhet të paguhen avokatët”, tregon Haliti.

Ajo tregon se QKRMT ofron mbështetje ligjore për të mbijetuarat e dhunës seksuale, por jo të gjitha rastet shkojnë përmes organizatës.

“Vetë Komisioni Qeveritar e ka selinë në Prishtinë dhe çdo person, çdo aplikues që vjen t’i dorëzojë dokumentacionet për njohje të statusit në komision përmes sekretarisë drejtpërdrejt, sigurisht që kanë një kosto të rrugës për të ardhur, e po ashtu Gjykata Themelore në Prishtinë, në kuadër të së cilës trajtohen këto raste, pra në Departamentin për Çështje Administrative gjendet në Prishtinë, dhe sidomos për rastet që janë nga komunat të tjera, apo nga zona rurale i duhet të udhëtojnë, të vijnë në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për rastin e tyre”, shton ajo.

Edhe Dorina Babuni-Krelani nga organizata joqeveritare “Medica Gjakova”, thekson për KosovaPress, vështirësitë e të mbijetuarve që të ndjekin rrugën e tyre drejt drejtësisë.

“Kosto për qasje në drejtësi është gjithmonë e lartë, qoftë ajo financiare apo edhe emocionale. Nëse flasim për koston financiare, ka kosto të mëdha për shkak që gjitha lëndët që duhet të shkojnë, minimumi që paguhet për një padi kundër refuzimit të statusit, kushton 50 euro apo me taksën e paguesit është 51 euro. Dhe ka shumë raste kur të mbijetuarat për këtë shumë parash e kanë lënë këtë proces dhe nuk e kanë ndjekur rrugën ligjore… Nëse flasim edhe për kosto të tjera që është transporti, është rruga deri këtu dhe ka shumë gjëra tjera dhe rrethana tjera që ndikojnë, kjo kosto rritet nuk është vetëm një shumë 50 euro. Ndoshta për dikë është një shumë e ulët, por me statusin ekonomik që e kanë një shumicë e të mbijetuarave, besoni që është një shumë që ju ndikon goxha në jetën e tyre dhe ka pasur raste që për këtë shumë e kanë lënë në gjysmë rrugën e tyre drejt drejtësisë dhe nuk kanë aplikuar apo nuk kanë kërkuar më tej drejtësi për refuzimin e statusit të tyre”, përfundon ajo.

Aplikimi për njohjen e statusit ka filluar në vitin 2018, dhe prej asaj kohe kanë aplikuar mbi 2000 persona.

“Që nga fillimi i procesit e deri më datë 21.05.2025 kemi pranuar gjithsej 2268 aplikacione. Statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar gjithsej 1787 aplikues, ndërsa 348 kërkesa janë refuzuar. Në periudhën 2018 – 2025 Komisioni ka bërë përgjigje në Padi në Gjykatë për 222 raste. Në periudhën kohore 01.01.2025 – 21.05.2025 kemi pranuar gjithsej 85 aplikacione”, kanë thënë për KosovaPress nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.

Deri tani, vetëm Zoran Vukotiq është dënuar për dhunim seksual gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. /kp