Kosovari paraqet dy djem në polici për të mos iu bashkuar luftës në Siri

Një shqiptar i Kosovës, i cili jeton në Norvegji, dhe i cili kohë më parë humbi një djalë në luftën e Sirisë, ka denoncuar dy djemtë tjerë të tij tek shërbimi sekret norvegjez. Ai këtë e ka bërë që t\'i ndalojë t\'i bashkohen luftës së shenjtë në Siri.

Lajme

27/05/2014 23:17

Gazeta “VG” raporton se arrestimi i dy personave nën dyshimin se do t’i bashkëngjiteshin “Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit”, një fraksion paramilitar islamik që po lufton në Siri, janë bërë pasi që të njëjtit janë denoncuar nga babi i tyre. Ata u arrestuan së bashku me një shok të tyre sot në mëngjes, dhe kishin rezistuar në arrestim.

Të tre jetojnë në zonën e Oslos. Dy prej tyre, një 27 vjeçar dhe një 24 vjeçar, janë të lindur në Kosovë, kurse i treti nga të arrestuarit është i lindur në Somali. Gazeta norvegjeze nuk e ka publikuar as emrin e babit e as të bijve të tij, transmeton RTK.

\”Unë kam humbur një djalë dhe nuk dua të humbas dy të tjerët në luftën e shenjtë”, arsyetoi veprimin e tij ky prind kosovar.

Babai kosovar ka shpjeguar për gazetën se ka tre vjet që fëmijët e tij kanë filluar të ndryshojnë, duke rritur mjekrën e lexuar tekste fetare, e duke folur kundër SHBA-ve e Izraelit

Babai tha se ndjehej i pafuqishëm kur e kuptoi se bijtë e tij filluan të ndryshojnë.

“Nuk kisha asnjë kontakt me ta. Një vit e gjysmë u përpoqa, por pash se nuk kisha sukses për t’i ndihmuar që të ndryshonin. Unë u përpoqa për t’ju treguar atyre se nuk duhet të jenë radikalë”, tha babai.

Të tre janë akuzuar sipas nenit 127 të Kodi Penal norvegjez në lidhje me pjesëmarrjen ose mbështetjen e një organizate terroriste, që sanksionohet me një dënim maksimal prej 6 vjet burg.