Kosovari Lirim Sylejmani dënohet me 10 vjet burg, prokurorja amerikane: Reflektim për tradhtinë që i bëri SHBA-ve
Një 49 vjeçar nga Kosova i cili ka shtetësi amerikane është dënuar me 10 vite burgim nga Gjykata e Qarkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në organizatën terroriste “ISIS”. Kjo është bërë e ditur nga Departamenti i Drejtësisë së Amerikës, derisa i dënuari në këtë rast është Lirim…

Lajme
Një 49 vjeçar nga Kosova i cili ka shtetësi amerikane është dënuar me 10 vite burgim nga Gjykata e Qarkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në organizatën terroriste “ISIS”.
Kjo është bërë e ditur nga Departamenti i Drejtësisë së Amerikës, derisa i dënuari në këtë rast është Lirim Sylejmani.
Sylejmani është i njohur edhe si Abu Sulayman ak-Kosovi, u deklarua fajtor më 12 dhjetor 2024 për marrjen e trajnimit të tipit ushtarak nga një organizatë e huaj e përcaktuar si terroriste.
Vendimi për të është shpallur të hënën, më 2 qershor 2025 nga gjykatësi federal Rudolph Contreras, i cili udhëroi gjithashtu që pas përfundimit të dënimit Sylejmani të jetë nën mbikëqyrje të përjetshme, transmeton lajmi.net.
Prokurorja e këtij rasti ishte Jeanine Ferris Pirro, drejtuesja e Divizonit të Sigurisë Kombëtarë në Departamentin e Drejtësisë, Sue Bai, si dhe përfaqësuese e FBI-së në fushën e kundër terrorizmit.
“Sylejmani do të kalojë një dekadë në burg duke reflektuar për tradhtinë që i bëri këtij vendi. Kushdo që mendon se ISIS është përgjigjja, duhet të mendojë sërish. Ne do të shkojmë deri në fund për të ndaluar çdo individ që synon të dëmtojë qytetarët tanë”, tha prokurorja Pirro.
Sipas dëshmive të paraqitur në gjykatë, Sylejmani kishte udhëtuar në Siri në nëntor të vitit 2015, deri në shkurt të 2019 bashkë me familjen, për t’iu bashkuar ISIS-it.
Ai mori pjesë në trajnim ushtarak i cili zgjati 21 ditë, ku mësoi përdorimin e armëve AK-47, M-16 si dhe granata e ku u emërua në një batalion në Mosul të Irakut.
“Pas përfundimit të stërvitjes ushtarake 21-ditore, ISIS e caktoi Sylejmanin në një batalion në Mosul të Irakut dhe i dha atij një AK-47, katër karikatorë AK-47, një rrip për të mbajtur karikatorët dhe dy granata. Sylejmani iu zotua për (besnikëri) Abu Bakr Al-Baghdadi, udhëheqësit të ISIS, dhe organizatës ISIS, përpara një anëtari irakian të ISIS. Në maj 2016, i pandehuri u paraqit për detyrë ribati (roje) në vijën e parë të ofensivës së Manbijit. I pandehuri solli rripin e tij të armës, AK-47 dhe karikatorët në detyrën e tij të ribatit. Gjatë një beteje me Forcat e Koalicionit, ai u godit me shrapnel në këmbë. Pas këtyre lëndimeve, ai përfundimisht u ricaktua në një batalion të ri në vjeshtën e vitit 2017. Sylejmani gjithashtu mori pagesa nga ISIS për shërbimet e tij. Midis nëntorit 2017 dhe shkurtit 2019, Sylejmani e zhvendosi familjen e tij në juglindje në Baghouz të Sirisë, ndërsa Kalifati territorial i ISIS u shemb.”
Ai kishte dhënë betimin e besnikërisë ndaj liderit të atëhershëm të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.
Në maj të vitit 2016, Sylejmani mori pjesë në betejën e Manbijit kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA. Gjatë përleshjeve, ai u plagos në këmbë. Më pas, në vitin 2017, u transferua në një batalion tjetër dhe vazhdoi aktivitetin e tij në zonat e mbetura nën kontrollin e ISIS-it deri në fillim të vitit 2019.
Ai dhe familja e tij u kapën nga Forcat e Koalicionit më 27 shkurt 2019, ndërsa po qëndronin në Baghouz, zonë që u bë bastioni i fundit i ISIS-it.
Pas ndalimit, Sylejmani kishte qëndruar në burgun Dashisha nga SDF-ja dhe më pas u transferua tek autoritetet amerikane më 15 shtator 2020 për t’u përballur me drejtësinë.
Rasti u hetua nga Task Forca e Përbashkët për Kundër-terrorizëm e FBI-së dhe u ndoq penalisht nga prokurorë federalë të specializuar në sigurinë kombëtare./Lajmi.net/