Kosova zotohet se nuk do t’i njohë pasaportat “Koordinacija” që i pranoi BE-ja

Për dallim me Bashkimin Evropian i cili i ka hequr vizat për qytetarët që jetojnë në Kosovë por janë të pajisur me pasaportë nga Drejtoria koordinuese në Beograd, Republika e Kosovës zotohet se këtë pasaportë nuk do ta njohë. Kjo situatë nga analist nga komuniteti shqiptar po vlerësohet e paqartë dhe produkt i sjelljes jo…

Lajme

19/09/2024 19:54

Për dallim me Bashkimin Evropian i cili i ka hequr vizat për qytetarët që jetojnë në Kosovë por janë të pajisur me pasaportë nga Drejtoria koordinuese në Beograd, Republika e Kosovës zotohet se këtë pasaportë nuk do ta njohë.

Kjo situatë nga analist nga komuniteti shqiptar po vlerësohet e paqartë dhe produkt i sjelljes jo konstruktive të Qeverisë, ndërsa gazetar serb e vlerësojnë vendim të drejtë i cili e ka ndalur diskriminimin

Listës së mospajtimeve të Qeverisë së Kosovës me Bashkimin Evropian i është shtuar edhe pasaporta që Drejtoria koordinuese në Beograd e lëshon kryesisht për serbët, e që qyteteve të Kosovës iu referohet si pjesë e Serbisë.

Tash kur zyrtarisht BE e ka mundësuar lëvizjen pa viza për qytetarët që e kanë këtë pasaportë, Qeveria e Kosovës zotohet se këtë dokument nuk do ta njohë.

“Asgjë s’ka ndryshuar nga qëndrimet e mëparshme që i kemi shprehur rreth çështjes. Pra ato pasaporta nuk njihen,” deklaroi Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi

Përkundër se Qeveria e ka një përgjigje ose qëndrim zyrtar se nuk e njeh këtë pasaportë, analisti Visar Ymeri thotë se pushteti duhet të japë shpjegime shtesë në rast se ka dakordim me Serbinë për këtë çështje.

“Ka pasur disa raportime që kanë thënë që këto letërnjoftime pranohen nga Republika e Kosovës, dhe tash nëse pranohen nga Republika e Kosovës, Qeveria duhet të na tregojë pse e ka bo këtë pranim, sepse është logjika e njëjtë. Nëse ti e ke pranu letërnjoftimin, e njëjta strukturë shtetërore e Serbisë e lëshon edhe pasaportën, ku është dallimi,” tha Ymeri.

Ndërkaq vendimin e BE-së dhe këtë pozicion të ri në raport me Kosovën, Ymeri e konsideron të pritshëm.

“Mendoj që kjo është alarmante në këtë pikë, e veçanërisht në këtë pikë, me e kuptu që qikjo politikë e kokfortësisë e mosbashkëpunimit e përplasjes, e moskonstruktivitetit, politika në njëfar mënyre e krekosjes gati se fëminore me fjalën sovranitet dhe dinjitet mundet me na kushtru shtrenjt,” shtoi Ymeri.

Në sytë e komunitetit serb ky vendim po vlerësohet i drejtë, dhe përkundrazi jo shkelje por hap që e ndalon diskriminimin, shkruan TV Dukagjini

“Në asnjë pikë nuk është shkelur sovraniteti i Republikës së Kosovës, që është propagandë edhe e opozitës edhe reagimi tepër negativ kundër një pjese të qytetarëve të vetë, por në të njëtën kohë ne e kemi në qendrën për regjistrimin e popullastës në Prishtinë një bllokadë nga urdhërat e Vetëvendosjes për me e blloku integrimin e serbëv në shtetin e Kosovës,” deklaroi gazetari, Branislav Kërstiq.

Kërstiq pretendon se nga rreth 80 mijë persona me këto pasaportë, rreth 30 mijë shqiptarë. Të paktën zyrtarisht këto shifra nuk janë bërë kurrë të ditura.

Temë e pasqaruar nga Qeveria mbetet edhe ajo se si konsiderohen letërnjoftimet që lëshohen nga strukturat paralele, e ku komunat e Kosovës figurojnë si pjesë e Serbisë. Në terren qytetarët serbë lëvizin normalisht pa asnjë problem.