Kosova, vend potencial për prodhime filmike vendore dhe botërore

Kosova me pamjet piktoreske dhe me temat e veçanta po cilësohet si vend potencial për prodhime filmike vendore, por dhe të huaja e sidomos në aspektin e lokacioneve.

ShowBiz

11/03/2016 09:16

“Kosovo Film Commission” me drejtor Ag Apolloni, është themeluar me qëllim për mbështetjen e kinematografisë kosovare dhe promovimin e shtetit si vend i përshtatshëm për xhirim.

“KFC-ja ka për qëllim t’i furnizojë me informata të gjithë prodhuesit audiovizivë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për realizimin e produkteve të tyre”, ka thënë Apolloni, duke shtuar se qëllim kanë të ndihmojnë shoqëritë e produksionit në kërkimin e vendeve të duhura për filmime dhe për shërbime të tjera në këtë sektor.

“Në uebsajtin tonë do të hidhen fotografi të të gjitha kategorive hapësinore që do të shërbejnë si një udhëzues i mirë për kineastët që duan të xhirojnë në Kosovë”, ka thënë Apolloni. Ai ka treguar se nëpërmjet lobimit dhe postimit të vendeve të ndryshme në uebsajt do t’u bëjnë oferta kineastëve të huaj që të vijnë e t’i realizojnë projektet e tyre në Kosovë. “Ne duhet të bëjmë çmos që ta ngjallim jetën kinematografike këtu në Kosovë dhe t’i bëjmë të tjerët t’i kthejnë sytë kah ne edhe për gjëra të mira”, është shprehur Apolloni.

Regjisori Ujkan Hysaj ka thënë për “Zërin” se Kosova ka mjaft mundësi të mira për xhirime filmike. “Si në aspektin piktoresk, po ashtu edhe në aspektin e mikpritjes e cila duhet të kthehet në infrastrukturë standarde në rast se një produksion dëshiron të xhirojë një film në Kosovë”, është shprehur Hysaj, duke shtuar se kjo është e domosdoshme sepse ekzistojnë grupe të ndryshme shumë të talentuar. “Secili në pozicionin e tij dhe ardhja e investimeve të huaja zhvillon edhe industrinë tonë”, ka thënë regjisori sipas të cilit filmat e deritanishëm kanë bërë histori për Kosovën.

“Edhe në të ardhmen ata ende duhet të vazhdojnë me festivale, mirëpo kjo nuk është indikator për sheshxhirime. Indikator është infrastruktura standarde që shtetet fqinje kanë arritur”, është shprehur Hysaj, duke cekur që kinematografisë tonë do t’i ndihmojë fillimisht për prodhimet vendore.

“Ka shumë filma që nuk dinë kah t’ia mësyjnë xhirimeve e pastaj do të lehtësojë shumë komunikimin dhe vendimin e atyre produksioneve që janë në mëdyshje të bëjnë film në Kosovë apo jo”, është shprehur Hysaj.

Sipas regjisorit Bekim Guri duke filluar nga temat e veçanta që ka Kosova, lokacionet dhe sa i përket anës ekonomike që nuk duhet të paguajmë shumë para për prodhime filmike janë një mundësi e mirë.

“Si filmbërës të rinj duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë mundësi që e ka vendi e të prodhojmë film të gjatë sa më shpejt, në mënyrë që të kapim hapin”, është shprehur Bekim Guri, sipas të cilit Kosova një kapacitet të mirë me aktorë.

“Aktorët në vendin tonë mund të jenë një interes i veçantë për botën dhe rajonin”, ka thënë Guri. Ai është shprehur se mungesë e madhe në Kosovë janë producentët, shtëpitë e distribucionit dhe disa anë teknike.

“Siç janë asistentët e kamerave, make up artistët, kjo sa i përket në një nivel të lartë profesional”, është shprehur regjisori, duke shtuar se ka pasur fat që në dy filmat e tij të ketë distributorë.

“Për ‘Heshtje’ nga Spanja dhe ‘Një pikë gjaku’ nga Franca. Kjo falë vetë interesimit tim dhe shpenzimeve të shumta personale që kam bërë për t’i prodhuar këta filma”, ka treguar Guri, sipas të cilit ka shumë filma të mirë në Kosovë që kanë mbetur brenda vendit vetëm për këtë arsye.

“Mosmenaxhimi i mirë apo mosdija për t’i plasuar nëpër festivale botërore”, ka thënë regjisori duke cekur se distribucioni është ndër pikat bazë për ta arritur suksesin e një filmi.

“Është shumë e kushtueshme sepse për të kapur një numër të madh festivalesh duhet të shpenzohen të paktën 5 mijë euro”, ka thënë regjisori duke cekur se mangësi nëpër setet tona është edhe puna në ekip.

“Kosova ka akumuluar që nga paralufta dhe tani po shpërthen, është vetëm në fillimet e saj për të krijuar një kinema me identitet, por duhet shumë punë për të bërë akoma”, ka thënë Guri, sipas të cilit pa koproduksione në Kosovë si vend i vogël që është e kanë problem të arrijnë aty ku dëshirojnë.

“Por më gëzon fakti që jemi në rrugë të drejtë dhe bota ka mundësi të shumta për të prodhuar film në Kosovë dhe kemi mundësi më shumë për t’i dhënë botës duke parë nga realiteti ngjarjet dhe jetën që e kemi jetuar dhe e jetojmë”, ka thënë Bekim Guri.