Kosova s’mundet dhe s’duhet ta ndjekë Kinën kundër influencerëve

Ka njëfarë vullneti “popullor” që të kopjohen vendimet e vendeve diktatoriale, kur është puna te liria e shprehjes dhe liria e mediave si te rasti i Kinës me influencerët. Megjithatë, Kosova s’mund të veprojë sikur shteti aziatik, pasi këtu është e garantuar liria e mediave dhe e fjalës, është e ndaluar censura dhe, më e…

Opinion

23/10/2025 08:47

Ka njëfarë vullneti “popullor” që të kopjohen vendimet e vendeve diktatoriale, kur është puna te liria e shprehjes dhe liria e mediave si te rasti i Kinës me influencerët.

Megjithatë, Kosova s’mund të veprojë sikur shteti aziatik, pasi këtu është e garantuar liria e mediave dhe e fjalës, është e ndaluar censura dhe, më e rëndësishme, është e lejuar që të ketë shumë media. Me fjalë të tjera, shteti mund dhe duhet të ndërhyjë përmes edukimit formal dhe joformal për t’i edukuar të gjitha gjeneratat rreth mendimit kritik për atë se si duhet të përdoren mediat.

Shkruan: Faton Ismajli

Një lajm që po vazhdon të shpërndahet me të madhe e të komentohet edhe më shumë, është vendimi i Kinës për t’i ndaluar dhe dënuar influencerët pa shkollë që krijojnë përmbajtje dhe që flasin për mjekësinë, ligjin, arsimin dhe financat.

Natyrisht, një pjesë e madhe e komenteve dhe pyetjeve që po shtrohen në media sociale te ne është se a mundet edhe Kosova të ndërmarrë një hap të tillë? Madje, një gazetar, duke e shpërndarë lajmin, kishte shkruar në “Facebook” me ironi: “Paramendojeni sa njeri mbetet me gishta n’hundë, nëse Kosova vepron si Kina”.

Hiç mos e paramendoni, as mos shpresoni se shteti që ka lindur më 17 shkurt 2008 mund ta ndjekë shtypjen e demokracisë sikurse vepron dhe ka vepruar shteti njëpartiak aziatik.

Ose, thënë edhe më saktë, përderisa Kosova e ka këtë Kushtetutë, e cila e ndalon censurën dhe e lejon pluralitetin (shumësinë) e mediave, garanton lirinë e mediave dhe të shprehjes, ndalimi i influencerëve të tillë është i pamundshëm. Situata është edhe më e komplikuar, pasi në këtë kohë as mos prisni që deputetët të merren me tema të tilla e të votojnë ndryshim të Kushtetutës, kur ata s’po mund t’i kryejnë obligimet themelore të tyre për ta konstituuar Kuvendin e për ta formuar Qeverinë.

Çka janë influencerët?

Influencerët, sipas shpjegimit të fjalorëve, janë njerëz që ndikojnë te të tjerët për të blerë një shërbim ose produkt të reklamuar prej tyre. Pa asnjë dyshim, sot influencerët, përmes mediave, nuk janë vetëm te fusha e biznesit e reklamës. Janë të pranishëm kudo dhe krijojnë përmbajtje për secilën fushë, prej mjekësisë deri te konspiracionet. Duke e shfrytëzuar teknologjinë dhe mediat sociale, ata i përdorin rrugët më të shkurtra për të depërtuar dhe për të ndikuar te ndjekësit e tyre. Përgjithësisht, influencerët synojnë që ta bindin masën pa bërë ndonjë investim të madh, pa kryer ndonjë hulumtim, pa i kryer të gjitha verifikimet.

Në ditët e sotme, ka influencerë që punojnë ditë e natë për interesin e publikut, gjithë famën dhe ndjekësit e tyre i furnizojnë me informacione që i ndihmojnë komunitetet, që e përdorin ndikimin e tyre për ta përmirësuar jetën e të tjerëve.

Ndikimin e dikurshëm të mediave, përkatësisht të gazetave, veç e kanë zëvendësuar influencerët që mund të jenë përcaktues se cili produkt shitet, cili politikan do të fitojë, e madje të bëhen edhe organizatorë e gjeneratorë të ndryshimeve shoqërore. Përmes përmbajtjeve që i publikojnë mund të ndikojnë te masat madje edhe për t’i përmbysur pushtetet. Pikërisht vendimin e Kinës duhet parë në këtë drejtim, pra ata po i censurojnë influencerët në mënyrë që përmes kërkesës për shkollë t’i kontrollojnë dhe të mos i lejojnë të bëhen problem nesër për pushtetin dhe liderin e partisë.

Me fjalë të tjera, influencerët janë në habitatin e tyre dhe i shërbejnë demokracisë përderisa nuk shpifin, nuk fyejnë, nuk nxisin urrejtje racore, kombëtare, fetare, nuk ngacmojnë, nuk kërcënojnë e nuk bëjnë thirrje për të kryer vepra penale. Në demokraci, mund të funksionojnë dhe të kenë përfitime, të reklamojnë, të ndikojnë te njerëzit për tema, por edhe të jenë në shërbim të interesit të publikut.

Ndikues (influencerë) ka pasur gjithmonë, por jo në numër të madh si sot, pasi jo gjithkush ka pasur mundësi të tregojë aftësitë komunikuese e bindëse si dhe t’i ketë njohuritë për reklamim. Tash, secili prej 1,6 milion banorëve të Kosovës potencialisht e ka mundësinë që të bëhet infuelncer. Në këtë garë, beteja është e ashpër, pasi, për të rënë në sy, përpos se duhesh të shprehësh mbrojtje e të punosh për interesin e publikun, interesin tënd, interesin e reklamuesit, influenceri duhet të bëjë edhe gjëra të pazakonshme.

Dikur influencerë janë quajtur oratorët e sofistës, pastaj influencerë janë bërë artistët e famshëm, mjekët e politikanët.

Njëri prej kritereve kryesore me të cilat matet influenceri është numri i ndjekësve e pastaj edhe i përmbajtjeve që i prodhon. Për të qenë “oligark” në këtë fushë, ju duhet të keni më shumë se 1 milion “followers”. Listës së influencerëve në botë i prin Ronaldo, ndërsa në Kosovë aktorët janë në vendin e parë.

Ndërhyrja e shtetit përmes edukimit

Arsyeja pse Kina ka marrë vendim të tillë është se ky vend ka vetëm një parti, është vend komunist. Atje, shteti i ka nën kontroll internetin, mediat dhe, rrjedhimisht, edhe mendjen e njerëzve. Përpos ndonjë të mire shumë periferike, ky vendim para se gjithash është marrë për t’i kontrolluar influencerët, për ta ruajtur ndikimin kryesor të partisë dhe, rrjedhimisht, për ta ruajtur pushtetin.

Në vendin tonë, ka njëfarë vullneti “popullor” që të kopjohen vendimet e vendeve diktatoriale, kur është puna te liria e shprehjes, liria e mediave dhe liria e mendimit. Diqysh, në pamje të parë, edhe mund të duken “të mira”.

Por harrojeni. Kosova s’mundet dhe s’duhet të marrë vendim të njëjtë sikur Kina, pasi në këtë tokë, që ndodhet edhe gjeografikisht në Evropë, me Kushtetutë është e garantuar liria e mediave dhe e fjalës, është e ndaluar censura dhe, më e rëndësishmja, është e lejuar shumësia e mediave. Në të njëjtën kohë, secili përdorues i mediave sociale dhe secili influencer u nënshtrohet ligjeve dhe mund të ndëshkohet përmes padive civile, nëse shpif. Mund të përballet me pasoja penale dhe duhet t’u nënshtrohet rregullave tatimore sikur kolegët e tyre në vendet e BE-së.

Për dallim prej Kinës, e cila i ndalon influencerët pa shkollë, Kosova mund të ndërmarrë veprime shtetërore për edukimin formal dhe joformal për të gjitha gjeneratat për mënyrën se si t’i përdorim mediat, për mënyrën se si marrin informacion, për mënyrën se si i verifikojmë përmbajtjet që i lexojmë dhe për mënyrën se si sillemi e marrim vendime mbi atë që shohim në televizor, dëgjojmë në radio apo lexojmë, që e shikojmë apo që e dëgjojmë në portale.

Meqë Kosova s’mund t’i ndalojë dhe s’duhet t’i ndalojë, influencerët në mediat sociale duhet trajtuar si pasuri shoqërore që i përmbahet ligjit, që paguan tatime dhe i shërben interesit publik krahas atij individual e biznesor.

Në idenë e edukimit për mënyrën se si të përdoren mediat, duhet të bëhen bashkë mekanizmat shtetërorë, influencerët, punëtorët e mediave tradicionale dhe mediave të reja dhe të krijojnë një front të përbashkët kundër të gjitha funksioneve të këqija që i sjellin të gjitha mediat dhe teknologjia.

Kosova vazhdon të jetë në krye të listës së vendeve të BE-së për përdorimin e internetit prej gjeneratës Alfa që ka lindur pas vitit 2013 e deri tek ata të gjeneratës “Silent” që ende janë gjallë e kanë lindur deri më 1945.