Kosova rrezikon t’i humbasë Lojërat Mesdhetare 2030, KOK-u i kërkon Kurtit ndërhyrje urgjente
Vetëm një muaj para mbledhjes vendimtare të Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku do të shqyrtohet edhe mundësia e ndërprerjes të së drejtës së Kosovës për organizimin e Prishtina 2030, situata rreth këtij projekti vazhdon të jetë shqetësuese. Në përpjekje për të shmangur një skenar të tillë, institucionet sportive po kërkojnë ndërhyrje…
Sport
Vetëm një muaj para mbledhjes vendimtare të Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku do të shqyrtohet edhe mundësia e ndërprerjes të së drejtës së Kosovës për organizimin e Prishtina 2030, situata rreth këtij projekti vazhdon të jetë shqetësuese. Në përpjekje për të shmangur një skenar të tillë, institucionet sportive po kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe koordinim në nivelin më të lartë shtetëror.
KosovaPress-i ka siguruar, një letër zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), e cila i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, njëherësh kryesues i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, me kërkesën për ndërmarrjen e hapave konkretë për të shpëtuar organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
Në këtë dokument, shprehet shqetësim i thellë për gjendjen aktuale të projektit dhe rrezikun real që Kosova të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare.
Një prej arsyeve kryesore të shqetësimit është anulimi i takimit të planifikuar në Athinë me përfaqësuesit e ICMG-së. Sipas letrës, ky takim ishte paraparë të shërbente për përmirësimin e komunikimit dhe marrëdhënieve me institucionin ndërkombëtar, adresimin e çështjeve të hapura dhe krijimin e bazave të qëndrueshme për vazhdimin e projektit.
Anulimi i tij, ka vështirësuar edhe më shumë situatën, sidomos duke marrë parasysh se më 19 dhjetor 2026 do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të ICMG-së, në të cilën do të shqyrtohet edhe ndërprerja e së drejtës së organizimit të Lojërave Mesdhetare nga Kosova.
Në letrën e siguruar nga KosovaPress, i kërkohet drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti që të marrë përgjegjësi dhe të ndërhyjë personalisht për tejkalimin e situatës, duke kërkuar prej tij hapa urgjentë për rikthimin e koordinimit institucional dhe komunikimin me udhëheqjen e ICMG-së.
“Iu kërkojmë që të ndërmerrni hapa konkretë dhe urgjente për të rikthyer koordinimin ndërinstitucional, për të adresuar obligimet ndaj ICMG-së dhe për të siguruar një komunikim të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e saj përpara mbledhjes së 19 dhjetorit 2026”, thuhet në letrën e KOK-ut.
Kërkesa tjetër është organizimi i një takimi urgjent të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM), në mënyrë që të përcaktohen bashkërisht veprimet dhe përgjegjësitë konkrete për ditët në vijim.
Në dokument, gjithashtu paralajmërohet se humbja e organizimit të Lojërave Mesdhetare do të ishte një humbje e madhe për sportin, zhvillimin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Kjo është një mundësi historike që nuk duhet ta humbasim për shkak të mungesës së koordinimit, vendimmarrjes apo vullnetit institucional”, thuhet në letrën e siguruar nga KosovaPress.
Në fund, institucioni më i lartë olimpik në vend shpreh gatishmërinë për të kontribuar me të gjitha kapacitetet e tij, në mënyrë që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbeten në Kosovë dhe të realizohen me sukses.
Me 19 dhjetorin gjithnjë e më afër, kërkesa e KOK-ut vë në pah urgjencën e situatës dhe nevojën për një përgjigje institucionale. Në lojë nuk është vetëm organizimi i një ngjarjeje sportive, por edhe një projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin e sportit dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.