Kosova pjesë e vazos së pestë në kualifikimet më të vështira në histori të Kupës së Botës

FIFA ka njoftuar edhe zyrtarisht përbërjen e vazove për shortin kualifikues për Kupën e Botës “Katari 2022”, i cili do të mbahet më 7 dhjetor.

Sport

27/11/2020 13:43

Kombëtarja e Kosovës do të jetë pjesë e vazos së pestë, shkruan lajmi.net.

Parashihet një grup i vështirë i Kosovës

Kosova mund të jetë pjesë e një grupi shumë të vështirë kualifikues, duke qenë pjesë e vazos së pestë.

Rreziku më i madh për Kosovën vjen nga vazot A dhe B, ku janë vendosur kombëtaret më të mira të Evropës, por edhe vazoja e tretë, mund të sjellë një kundërshtar të vështirë.

Kombëtaret me të cilat Kosova nuk mund të luajë

Janë tri kombëtare me të cilat Kosova nuk mund të jetë pjesë e një grupi. Bëhet fjalë për Serbinë, Rusinë dhe Bosnjën.

Grupi më i lehtë i mundshëm për Kosovën

Grupi më i lehtë i mundshëm për Kosovën do të përbëhej nga këto kombëtare: Danimarka, Romani, Finlandë, Luksemburg dhe San Marino.

Kualifikimet më të shkurtra në histori

Situata me pandeminë COVID-19 ka ndryshuar plotësisht orarin kualifikues, kështu që pjesa evropiane e kualifikimeve për Kupën e Botës do të luhet në vetëm tetë muaj, për dallim nga e kaluara, që zgjasnin një vit e gjysmë.

Kualifikimet tani do të fillojnë në mars dhe do të përfundojnë në nëntor të vitit të ardhshëm.

Vetëm fituesit e grupeve shkojnë direkt në Kupën e Botës

Për më tepër, vetëm dhjetë fitues të grupeve do të sigurojnë rrugën drejtpërdrejt në Kupën e Botës, ndërsa dhjetë vendet e dyta do të kalojnë në kualifikim shtesë.

Kualifikimet shtesë nuk kanë qenë kurrë kaq të vështira

12 ekipe do të jenë pjesë e kualifikimeve shtesë, që do të kërkojnë vetëm tri vendet e mbetura nga kualifikimet e rregullta.

Dhjetë prej tyre do jenë vendet e dyta, dhe dy të tjera do vijnë nga Liga e Kombeve.

Kështu, 12 ekipet formojnë tre rrugë Play Offi (A, B, C), me nga katër skuadra, ku fituesi i secilit Play Off (A,B, C), do të sigurojnë biletën për “Katari 2022”. Kështu bëhen 13 pjesëmarrës nga Evropa në Kupën e Botës./Lajmi.net/