Kosova: Përzgjedhja e të dëbuarve nga SHBA-ja do të bëhet sipas kritereve të sigurisë
Qeveria në detyrë e Kosovës bëri të ditur se përzgjedhja e 50 personave, që do të strehohen në Kosovë pasi të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe duke pasur parasysh sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Ky angazhim vjen si pjesë e një vendimi të Qeverisë në detyrë…

Lajme
Qeveria në detyrë e Kosovës bëri të ditur se përzgjedhja e 50 personave, që do të strehohen në Kosovë pasi të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe duke pasur parasysh sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Ky angazhim vjen si pjesë e një vendimi të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të miratuar më 11 qershor, për t’u ofruar mbrojtje të përkohshme shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga territori amerikan.
Po ashtu, një ditë më herët, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës së presidentit Donald Trump të rifillojë menjëherë me dëbimet e migrantëve drejt vendeve të tjera – përveç atyre të origjinës – duke shfuqizuar përkohësisht urdhrin gjyqësor, me të cilin kërkohej që migrantët të kishin mundësi ta kundërshtonin dëbimin.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Qeveria në detyrë e Kosovës tha se rastet e të ardhurve në Kosovë do të shqyrtohen ndaras nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa mbrojtja e përkohshme do të zgjasë deri në një vit.
Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe, do të vlerësohen kushtet në vendin prej nga vijnë këta persona dhe do të ndërmerren edhe masa për kthimin vullnetar të tyre.
“Bazuar në legjislacionin tonë në fuqi, personave që janë në mbrojtje të përkohshme, shteti i Kosovës u ofron kushte themelore për jetesë, që përfshin strehim, akomodim, ushqim, veshmbathje dhe pako higjienike, si dhe qasje në kujdes shëndetësor, përfshirë: kujdesin emergjent shëndetësor dhe trajtimin e sëmundjeve”, thuhet në deklaratën e Qeverisë në detyrë të Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Migrantët duke pritur në Aeroportin në Arizon që të dëbohen përmes një avioni të ushtrisë amerikane. 23 janar 2025.
Aty, po ashtu, theksohet se Kosova ka përvoja të mëparshme me ofrimin e mbrojtjes së përkohshme për qytetarë nga vendet e treta.
Si shembull përmendet strehimi i shtetasve afganë në vitin 2021, në bashkëpunim me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe pranimi i gazetarëve ukrainas përmes programit “Gazetarët në Rezidencë”.
Sipas Qeverisë, këto përvoja dëshmojnë se institucionet e Kosovës janë të gatshme dhe të afta të menaxhojnë procese të tilla.
Në fund, Qeveria në detyrë e cilëson SHBA-në si “aleat të palëkundur” dhe shpreh mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
Departamenti amerikan i Shtetit e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për pranimin e të dëbuarve, duke thënë se SHBA-ja “i është mirënjohëse” asaj.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se autoritetet kosovare do të punojnë “në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse amerikane gjatë gjithë procesit”.
Disa diplomatë amerikanë dhe analistë e kanë komentuar dakordimin e Kosovës si “gjest të rëndësishëm simbolik”, por kanë theksuar se një gjë e tillë nuk e ndryshon thellësisht dinamikën e marrëdhënieve mes dy vendeve.