Kosova pa kuvend që disa muaj, Kurti del me pretendime: Synojmë të bëhemi shteti i 33-të i NATO-s

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fjalimit në pritjen shtetërore për 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka nderuar sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e vendit dhe theksoi se siguria dhe sovraniteti nuk duhet të merren të mirëqena, por kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional dhe bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë. Kurti…

Lajme

12/06/2025 21:06

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fjalimit në pritjen shtetërore për 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka nderuar sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e vendit dhe theksoi se siguria dhe sovraniteti nuk duhet të merren të mirëqena, por kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional dhe bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë.

Kurti tha se Kosova është vend i guximit dhe perspektivës evropiane, duke ritheksuar synimin për anëtarësim në NATO si shteti i 33-të. Ai përmendi edhe rrezikun që paraqiste ndërhyrja ruse më 1999 dhe theksoi se kërcënimet e tilla nuk janë zhdukur plotësisht.

“Në frymën e sakrificës, sot punojmë për drejtësi, barazi dhe progres për çdo qytetar,” tha Kurti.

Postimi i plotë:

Me respekt të thellë e përulësi, nderojmë sakrificën e dëshmorëve, martirëve, invalidëve e veteranëve dhe të gjitha grave e burrave që kontribuan për çlirimin e Kosovës. Në frymën e sakrificës së tyre, sot e çdo ditë punojmë me përkushtim për drejtësi e barazi, progres dhe solidaritet.
Nuk e harrojmë asnjëherë, që siguria e vendit dhe territorit tonë nuk mund të merret thjesht si e mirëqenë. Ajo kërkon angazhim të përhershëm nga institucionet tona shtetërore, në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.
Republika jonë është vend i guximit, i shpresës dhe i perspektivës evropiane. Andaj vazhdojmë të punojmë bashkë, shumë dhe mirë, që liria jonë të jetë e plotë e që edhe brezat e ardhshëm të mos përjetojnë atë që jetuam ne.
Fjala e plotë nga pritja shtetërore për 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës:
Të nderuar zëvendëskryeministra të qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Besnik Bislimi, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, znj, Emilia Rexhepi,
Të nderuar deputetë, ministra e zëvendësministra
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi së bashku në këtë pritje shtetërore, në Ditën e Paqes, në 26-vjetorin e çlirimit tonë me rrënjët në gjakun e të rënëve.
Me respekt të thellë e përulësi, nderojmë sakrificën e dëshmorëve, martirëve, invalidëve e veteranëve dhe të gjitha grave e burrave që kontribuan për çlirimin e Kosovës. Në frymën e sakrificës së tyre, sot e çdo ditë punojmë me përkushtim për drejtësi e barazi, për progres me solidaritet.
Kujtojmë veprimet dhe vendimet e rëndësishme ndërkombëtare që mundësuan ardhjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare, KFOR-it, dhe mbylljen e një periudhe të errët të historisë së Kosovës. Siç shpjegon emisari special i Kombeve të Bashkuara asokohe, Martti Ahtisaari në librin e tij “Detyra në Beograd”, arritja e marrëveshjes ushtarake ishte një moment kyç, nënshkruar nga gjenerali Mike Jackson, duke garantuar që trupat e Jugosllavisë e të Serbisë nuk mund të hynin më në Kosovë pa lejen e komandantit të KFOR-it.
E tillë ishte edhe situata delikate diplomatike e 11 dhe 12 qershorit 1999, kur trupat ruse hynë në Kosovë dhe morën aeroportin e Prishtinës para trupave të NATO-s. Kjo situatë e tensionuar kërkoi një diplomaci të nivelit të lartë, duke çuar në marrëveshjen e arritur më 18 qershor 1999 në Helsinki, ku u përcaktua bashkëpunimi i forcave ruse dhe atyre të NATO-s përbrenda KFOR-it.
Rrëfimi i Ahtisaarit për okupimin e aeroportit nga ana e trupave ruse, zbulon se sa i madh ka qenë rreziku që Kosova, e sapo çliruar, copëtohej në dy pjesë, mbi baza etnike. Sipas Ahtisaarit, Rusia dhe regjimi i Jugosllavisë po e citoj atë nga libri i tij “ishin marrë vesh që Rusia të merrte kontrollin mbi Prishtinën dhe mbi pjesët veriore të Kosovës … Nëse ngjarjet në Kosovë do të zhvilloheshin ashtu që, brenda dy-tre viteve, shqiptarët ta shpallnin vendin e tyre të pavarur, Serbia me ndihmën e trupave ruse do të mund ta mbante një pjesë të madhe të saj dhe të kolonizonte vetëm me serbë” . Krejt kjo, përsëri sipas Ahtisaarit, e kishte për qëllim që Serbia të marrë nën kontroll po e citoj sërish Ahtisarin: “xeheroret e Trepçës dhe shkritoren e Zveçanit, si edhe ndërmarrjet e tjera përpunuese pranë Ibrit të poshtëm.”
Për fat të mirë, plani serborus për pushtimin e dhunshëm të pjesës veriore të vendit dhe copëtimin e Kosovës në dysh, dështoi në vitin 1999. Por, për fat të keq, ky plan nuk ka vdekur ende plotësisht. Ai vazhdon të mbijetojë deri sot, në nivelet më të larta të regjimit të Beogradit. Këtë e kanë zbuluar dhe dëshmuar qartë institucionet tona të sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023, në të cilin ra heroikisht rreshteri i Policisë sonë, Afrim Bunjaku.
Nuk e harrojmë asnjëherë, pra, që siguria e vendit dhe territorit tonë e popullit dhe e qytetarëve pa dallim nuk mund të merret thjesht si e mirëqenë. Ajo kërkon angazhim të përhershëm nga institucionet tona shtetërore, në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë.
Në këtë ditë, ne e përsërisim me vendosmëri zotimin tonë për paqe të qëndrueshme dhe progres të vazhdueshëm. Paqe kjo që mbështetet në zhvillim të barabartë për çdo qytetar, pavarësisht etnisë a kombësisë, fesë apo gjinisë.
Kosova jonë, Republika jonë, është vend i guximit, i shpresës dhe i perspektivës evropiane. Andaj ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë, shumë dhe mirë, që liria jonë të jetë e plotë dhe që edhe brezat e ardhshëm të mos përjetojnë atë që jetuam ne.
19 shtete anëtare të NATO-s që atëbotë intervenuan për t’i ndalur krimet e forcave të Serbisë i falënderohemi secilës prej tyre në secilën gjuhë të tyre ashtu siç tregon edhe baneri i kësaj ceremonie!
Tash NATO-ja i ka 32 shtete anëtare dhe ne duam që të bëhemi shteti i 33-të, që të kontribuojmë në paqen demokratike dhe sigurinë perëndimore. Aftësitë dhe mundësitë i kemi dëshmuar së fundi edhe në Defender Europe 25.
Duke qenë krenarë për atë çfarë kemi arritur si popull e shtet, kujtojmë me mirënjohje ata që dhanë gjithçka për Republikën tonë dhe angazhohemi bashkë për të ardhmen e ndritshme të saj.
Urime Dita e Paqes!
Gëzuar 26-vjetori i çlirimit të Kosovës!
Ju falemnderit!/lajmi.net/