Kosova nuk i dorëzohet Serbisë, Haradinaj: Dialog pa ndryshim kufijsh – vetëm njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Lajme

11/07/2019 14:53

Haradinaj ka folu për përplasjet mes partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokratike.

“Kam respekt për Nismën dhe për zotin Limaj, sikur edhe ata që e kanë. Qeveria është e sfiduar në vazhdimësi por marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë qeverinë”, ka deklaruar Haradinaj, raporton lajmi.net.

Sa i përket çështjes së vizave, ai ka thënë se Kosova qëndron më mirë se vendet tjera në rajon.

“Pas Gjermanisë e Franës, tani jemi në kontakt me Holandën. I kam dërguar ambasadores shpjegime që me i dërgu në Holandë. Unë mendoj se qëndrojmë më mirë se gjitha shtetet e rajonit, vizat janë premtuese ne e kemi marr një premtim të Gjermanisë për me ec në këtë temë”.

Ndërsa, për deklaratat e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev për ndarje të Kosovës, Haradinaj ka thënë se Zaev ka ra pre e një mashtrimi.

“I dëgjova këto deklarime, biseda nuk është risi, Zaev është kundër lëvizjes së kufijve dhe ndarjes së Kosovës”, është shprehur kryeministri.

Tutje, ai ka thënë se nuk ka diskutim për ndryshim kufijsh dhe se nga Serbia duam vetëm njohje reciproke.

“Ne kemi nevojë për njohje reciproke, edhe Kosova kur e njeh Serbinë është sakrificë. Serbia ka nevojë për tregun e Kosovës. Unë mendoj se këto dy tema janë të lidhura dhe Kosova s’ka arsye me u ulë në tavolinë pa u definu çka do të diskutohet .Nuk kemi pse me hy në proces me të panjohura”.

Haradinaj shtoi se ka tendenca që Kosova të futet në proces përsëri, dhe mos të diskutohet për marrëveshje përfundimtare.

“Ne duhet të jemi të vendosur si Kosovë, ka plotë tendenca që me na fut vetëm në proces por ne jemi dhe s’po i shihet fundi këtij procesi. Ne duhet të durojmë që kur të ulemi, të ulemi për atë që është kryesore e që është njohja. Unë jam kundër që Kosova me u dorëzu, dhe nuk e pranoj këtë, ashtu siç s’kemi pranuar të diskutohet çështja e kufijve”. /Lajmi.net/