Kosova nën sanksione, Kurti thotë se jemi në mesin e shteteve më të sigurta për të investuar

Pavarësisht sanksioneve të vendosura ndaj institucioneve të Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka theksuar se vendi renditet ndër më të sigurtit në botë për të investuar. Sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata “Henley”, Kosova zë vendin e 26-të nga 226 shtete, duke u renditur e para në…

Lajme

23/10/2025 19:38

Pavarësisht sanksioneve të vendosura ndaj institucioneve të Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka theksuar se vendi renditet ndër më të sigurtit në botë për të investuar.

Sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata “Henley”, Kosova zë vendin e 26-të nga 226 shtete, duke u renditur e para në rajon dhe përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kurti e ka cilësuar këtë vlerësim si dëshmi të rritjes ekonomike dhe forcimit të sundimit të ligjit e sigurisë, faktorë që sipas tij e bëjnë Kosovën një ambient të përshtatshëm për biznes e investime të huaja.

Ky rezultat vjen vetëm pak muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar e hoqi Kosovën nga lista e shteteve në situata të brishta dhe konflikti, si dhe pas vlerësimit të fundit të FMN-së që parashikon rritjen më të lartë ekonomike në rajon për Kosovën gjatë këtij viti.

Sipas qeverisë, pavarësisht krizave globale dhe sfidave nga faktorët e jashtëm, Kosova po forcon stabilitetin e saj ekonomik dhe po krijon kushte të favorshme për zhvillim dhe investime të sigurta.

Postimi i plotë i tij:

Kosova në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar. Nga 226 shtete, renditemi në vendin e 26-të, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata Henley.

Jemi të parët në rajon në këtë indeks, si dhe shumë pozicione përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha.

Kosova si vend i sigurt për të investuar, sipas Henley, vjen si lajm vetëm disa muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e hoqi vendin tonë nga lista e Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, si dhe pak ditë pasi i njëjti institucion vlerësoi se Kosova do të vazhdojë të ketë edhe për këtë vit rritjen më të lartë ekonomike në rajon.

Përkundër krizave globale dhe sfidave të shumta nga faktorë të jashtëm, shteti ynë vazhdon të forcohet, të ofrojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta./Lajmi.net/