Kosova në pranverë mund të përballet me vërshime

Kosova gjatë muajve të parë të këtij viti u përballë me thatësi të madhe, por pjesa tjetër e vitit ishte me të reshura të mëdha. Në muajin maj në Prishtinë pati të reshura, më të mëdhatë në 50 vitet e fundit. Ekspertët paralajmërojnë rrezikun e vërshimeve në pranverën e vitit të ardhshëm, nëse dimri në të cilin po hyjmë karakterizohet me të reshura. 

Lajme

20/12/2014 20:44

Në vitin që po e lëmë klima në vend pësoi ndryshime drastike nga njëra pjesë e vitit në tjetrën. Në pjesën e parë të vitit kishim një thatësi të madhe, sa na kaploi paniku, se do të mund të rrezikohemi nga mungesa e ujit, për faktin se liqenet arritën në pikën më të ulët të nivelit të tyre.

E edhe pse thuhej se do të duhej vite që Batllava e Badovci të mbushen me ujë, ato tani kanë arritur nivelin kulminant, sa nëse do të ketë të reshura edhe gjatë dimrit me intensitet sikur muajve të fundit, atëherë në pranverë rrezikohemi nga vërshimet.

Eksperti i ujërave Skënder Bublaku, ka thotë se 2014 ishte vit i veçantë metorologjik dhe se të dhënat nga ky vit, duhet të jenë shqetësuese për vitet në vazhdim. Ai në një prononcim për lajmi.net ka thënë se në bazë të këtyre të dhënave Kosova rrezikohet nga vërshimet, por edhe nga thatësia.

Vërshime në Klinë: Viti 2013

Vitet e fundit Kosova është karakterizuar me mot të ndryshueshëm të reshjeve atmosferike, të cilët shpesh herë kanë rezultuar me mungesë ose vërshime të ujit.

I tillë ishte edhe viti 2014 i cili në periudhat kur nevojitej që të kishte të reshura ato mungonin, ndërsa  të reshurat më të mëdha në 50 vitet e fundit në Prishtinë ndodhen në muajin e maj të këtij viti.

Prishtinë: Viti 2014

Këto ndryshime meteorologjike sipas ekspertit të ujërave Skender Bublaku, duhet të na bëjnë të vetëdijshëm se mund të përballemi me thatësira dhe vërshime nga ujërat.

Ai  në  një bisedë për lajmi.net ka thënë se në bazë të disa matjeve që ka bërë për punimin e tij të doktoraturës, del se viti që po lëmë pas ishte jo i zakonshëm.

“Të dhënat tregojnë se ky vit kishte diçka qe duhet të na shqetësoj,e të përgatitemi për muajt e vitet që do vijnë. Jemi edhe disa ditë para përfundimit të 2014 e të dhënat tregojnë se në Regjionin e Prishtinës kishim një dimër 2013/2014 pothuajse pa borë, muaji shkurt 2014 me vetëm (2.0 mm) shi duket si muaji më m pak reshje në 50 vitet e fundit”.

“Muaji prill 2014 me reshje prej (220.0 mm )duket se thyen rekordin e reshjeve maksimale mujore ne 50 vitet e fundit. Edhe vet viti 2014 ne regjionin e Prishtinës me reshje (900.0 mm) mund të jetë viti me më se shumti reshje ne 50 vitet e fundit”, ka thënë Bublaku, për lajmi.net.

Ai ka thënë se këto të dhëna i ka bërë  kryesisht rreth Liqenit të Badovcit.

Sipas tij nëse gjatë dimrit do të ketë reshje të borës, atëherë Kosova në pranverë rrezikohet nga vërshimet për shkak të sasisë së madhe të ujit që ka toka aktualisht. (lajmi.net)