Kosova në planin e Buxhetit të IPA’s

Projektet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural shpallen fituese në çmimet e IPA’s. Blerand Stavileci thotë kriter për t'i fituar këto çmime është ndikimi i këtyre projekteve në zhvillimin ekonomik.

Lajme

04/10/2013 16:33

Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) është zgjedhur fituese në çmimet e Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA). Janë dy projekte që kanë pasur për qëllim për zhvillimin e planeve strategjike, politikave bujqësore, të cilat janë shpallur më të suksesshmet  në Europë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net Ministri i MBPZHR’së, Blerand Stavileci.

Ai ka thënë se kriter bazë për të fituar këto çmime është ndikimi i këtyre projekteve në zhvillimin ekonomik, të komunitetit, si dhe impakti i tyre në ekonominë e një vendi.

“Janë projekte për zhvillimin e planeve strategjike, politikave bujqësore, dhe ky i fundit i realizuar në bashkëpunim me ekspertët austriakë, gjermanë dhe hungarezë është shpallur projekti më i suksesshëm në kuadër të shpërblimeve për projektet më të suksesshme në Europë nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit”.

“Njëri nga kriteret për të fituar këto çmime është ndikimi i këtij projekti në zhvillimin ekonomik, komunitetit, impakti në ekonominë e një vendi, etj”.

Shpërblimet e marra nga IPA, sipas Stavilecit, kanë bërë që ky së bashku me zyrtarë të tjerë të ftohen nga Parlamenti Europian që të prezantojnë arritjet e tyre.

“Ne jemi të ftuar të hënë në Bruksel që të prezantojmë dhe t’i drejtohemi me një fjalë deputeteve të Parlamentit për të treguar ndikimin e këtij projekti në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.

Stavileci ka thënë se tash e tutje, Kosova do të jetë në planin e buxhetit të IPA’s të përgatitur për vitin 2014-2020, ku në mesin e shteteve të cilat kanë statusin e vende kandidate për anëtarësim edhe Kosova do të jetë përfituese e këtyre grandeve.

“IPA ka përgatitur në kuadër të buxhetit 2014-2020 që vendet të cilat nuk e kanë statusin e vendeve kandidate të jenë përfituese nga këto fonde strukturore dhe mendohet që një përqindje e lartë t’i dedikohet sektorit të bujqësisë. Kjo edhe më shumë e rrit besimin e tyre”.