Kosova ndaloi simbolet serbe për Vidovdan, Vuçiq të rinjve: Mos i jepni Kurtit rast për t’ju arrestuar
Komuna e Graçanicës, vitin e kaluar pati marrë vendim që festa e Vidovdanit të shënohet dhe festohet me simbole dhe flamuj të shtetit serb. Kjo festë, e cila çdo 28 qershor kremtohet nga serbët kryesisht te monumenti i Gazimestanit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës, nga ta shënohet si përkujtim ndaj vuajtjeve të serbëve në betejën…

Lajme
Komuna e Graçanicës, vitin e kaluar pati marrë vendim që festa e Vidovdanit të shënohet dhe festohet me simbole dhe flamuj të shtetit serb.
Kjo festë, e cila çdo 28 qershor kremtohet nga serbët kryesisht te monumenti i Gazimestanit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës, nga ta shënohet si përkujtim ndaj vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.
Por këtë vendim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 qershor të këtij viti e ka rrëzuar përfundimisht duke vendosur që në festën e “Vidovdanit” të mos ketë simbole dhe flamuj serb.
Në arsyetim, gjykata tha se vendimi në fjalë mund të provokojë tensione ndëretnike, veçanërisht nëse perceptohet se autoritetet komunale favorizojnë një komunitet në kundërshtim me rendin ligjor.
“Ky rrezik për rendin publik është edhe më i lartë në kontekstin kur simboli i një shteti tjetër shfaqet në mënyrë të organizuar nga një autoritet publik komunal, pa pëlqimin ose autorizimin e institucioneve qendrore”, thuhet në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
E në prag të kësaj feste për serbët, ka reaguar presidenti i vendit fqinj, Alleksandar Vuçiq.
Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë që do të vijnë në Kosovë nesër, të mos i japin kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, “mundësinë për t’i arrestuar”.
“U kërkoj të rinjve dhe të rejave nga Serbia që do të shkojnë nesër në Kosovë”, tha Vuçiqi, “të mos i japin Kurtit mundësinë për t’i arrestuar”.
“Ju e dini sa shumë serbë kemi nxjerrë nga burgu dhe kemi luftuar për ta bërë këtë”, tha presidenti serb për televizionin në gjuhën serbe “Pink”.
Sipas tij, do të vijë koha “kur do të jemi në gjendje të veshim bluza serbe dhe flamuj serb kudo, plotësisht lirshëm”.
Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë, ku thotë të ketë marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve për “Vidovdanin”, të cilat pritet të mbahen të shtunën, më 28 qershor.
Lidhur me planet dhe masat operacionale, policia ka shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat thotë se janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
“Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente”.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, policia kërkoi mirëkuptimin e plotë nga ana e pjesëmarrësve në trafik me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimin e mundshëm të trafikut.