​Kosova mirëpret njoftimin për arritjen e marrëveshjes së paqes Izrael-Hamas

Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës mirëpret njoftimin për arritjen e marrëveshjes së paqes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, e cila shënon një moment të rëndësishëm dhe një hap përpara drejt paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajon. Kosova vlerëson lidershipin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe përgëzon përpjekjet…

Lajme

09/10/2025 15:22

Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës mirëpret njoftimin për arritjen e marrëveshjes së paqes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, e cila shënon një moment të rëndësishëm dhe një hap përpara drejt paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

Kosova vlerëson lidershipin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe përgëzon përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë, Katarit dhe Egjiptit, të cilat kanë qenë thelbësore në arritjen e këtij zhvillimi historik.

Marrëveshja përfaqëson një hap vendimtar në zbatimin e fazës së parë të nismës për paqe në Gaza të presidentit Trump, duke mundësuar vendosjen e një armëpushimi të plotë, lirimin e pengjeve dhe zgjerimin e ndihmës humanitare për civilët në nevojë në Gaza, thuhet në njoftim.

Republika e Kosovës ri-konfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, dhe shpreh besimin se ky zhvillim historik do të hapë rrugën për një stabilitet të qëndrueshëm që do të sjellë përfitime për të gjithë popujt e rajonit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi në rrjetet sociale se është arritur dakordësia për fazën e parë të planit të paqes në Gaza.

“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të planit tonë të paqes”, tha Trump.

“Kjo do të thotë që të gjitha pengjet së shpejti do të lirohen dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në vijën e rënë dakord si hapi i parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë! Kjo është një ditë e MADHE për botën arabe dhe myslimane, Izraelin, të gjitha vendet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia që punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të pashembullt.”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha pas njoftimit të Trump se Izraeli do të kthente të gjithë pengjet nga Gaza.

“Me ndihmën e Zotit, ne do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi”, tha Netanyahu në një deklaratë të shkurtër të lëshuar nga zyra e tij.

Netanyahu më vonë tha në mediat sociale se marrëveshja e arritur nënkuptonte “një ditë të madhe për Izraelin”.

Kryeministri izraelit tha se do të mblidhte qeverinë të enjten për të miratuar marrëveshjen dhe për të sjellë në shtëpi pengjet.

Hamasi konfirmoi se kishte rënë dakord për marrëveshjen e propozuar të paqes me Izraelin.

Në një deklaratë, ata falënderuan ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, si dhe presidentin Trump, për përpjekjet e tyre.

Hamasi tha se kishte paraqitur një listë të të burgosurve që dëshironte që Izraeli t’i lironte sipas marrëveshjes së paqes dhe po priste një marrëveshje përfundimtare mbi emrat. Hamasi po propozonte lirimin e të gjithë pengjeve izraelite të gjallë në këmbim të rreth 2 mijë të burgosurve palestinezë brenda 72 orëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.

Izraelitët dhe palestinezët kanë festuar pasi u arrit një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas do të hyjë në fuqi sot në orën 11:0, menjëherë pas një ceremonie zyrtare nënshkrimi në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh, raportuan mediat izraelite, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës Yedioth Ahronoth, kabineti i sigurisë i Izraelit do të mblidhet në orën 17:00 sipas orës lokale për të miratuar marrëveshjen e armëpushimit të arritur me Hamasin.