Kosova miraton sanksionet e reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, shkaku i agresionit në Ukrainë

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot pakon e 19-të të sanksioneve ndaj Federata Ruse dhe Bjellorusia, me qëllim të kundërshtimit të agresionit rus në Ukrainë. Kryeministri Albin Kurti e prezantoi vendimin duke shpjeguar se masat synojnë harmonizimin e politikës së Kosovës me vendimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. “Synojmë që të zbatojmë vendimet…

Lajme

20/02/2026 10:14

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot pakon e 19-të të sanksioneve ndaj Federata Ruse dhe Bjellorusia, me qëllim të kundërshtimit të agresionit rus në Ukrainë.

Kryeministri Albin Kurti e prezantoi vendimin duke shpjeguar se masat synojnë harmonizimin e politikës së Kosovës me vendimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

“Synojmë që të zbatojmë vendimet e Këshillit të BE-së dhe SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë”, tha ai, transmeton lajmi.net.

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dha më shumë detaje për sektorët dhe llojet e masave që përfshihen në këtë pako.

“Në vijim të mbështetjes për kundërshtimin e agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, në përputhje me masat dhe sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, partnerë strategjikë, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e pakos së 19-të të sanksioneve të BE-së, si dhe masave shtesë të BE-së ndaj Federatës Ruse”, tha Konjufca.

Ai theksoi se sanksionet do të prekin sektorët kyç: energjinë, financat, kompleksin ushtarako-industrial, tregtinë dhe zinxhirin e furnizimit me mallra ushtarake dhe me përdorim të dyfishtë. Përfshihen gjithashtu shërbime strategjike, përfshirë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, si dhe masa ndaj diplomatëve rusë dhe përgjegjësve për rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve ukrainas.

Konjufca po ashtu bëri të ditur se veprimet janë të harmonizuara edhe ndaj Bjellorusia dhe theksoi angazhimin e Kosovës për të qëndruar pranë partnerëve strategjikë në mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të Ukrainës./lajmi.net/