Kosova merr kredi nga Fondi Saudit për rrugën Prishtinë – Mitrovicë

Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës kanë nënshkruar marrëveshjen me Fondin Saudit për Zhvillim për përmbylljen e punimeve të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë. Me këtë rast, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrëveshja kap vlerën e rreth 14 milionë eurove. “Sot jemi mbledhur që të përmbyllim edhe pjesën tjetër të financimit për këtë projekt. Mesatarja…

Lajme

29/07/2024 12:02

Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës kanë nënshkruar marrëveshjen me Fondin Saudit për Zhvillim për përmbylljen e punimeve të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë.

Me këtë rast, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrëveshja kap vlerën e rreth 14 milionë eurove.

“Sot jemi mbledhur që të përmbyllim edhe pjesën tjetër të financimit për këtë projekt. Mesatarja ditore në këtë rrugë është në nivelin për 27 mijë automjete. Marrëveshja kap vlerën rreth 13 milionë euro. Pjesa tjetër është bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës. Do të doja të falënderoja Fondin Saudit për Zhvillim për mbështetjen dhe të ritheksoj përkushtimin e Qeverisë për thellimin e partneritetit me Mbretërisë së Arabisë Saudite”, deklaroi ai.

Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ky projekt është i rëndësishëm duke marrë parasysh vëllimin e trafikut. Shtoi se projekti ndikon në përmirësim të jetës së qytetarëve.

“Me këtë marrëveshje, Fondi Saudit për Zhvillim do të mbështes projektin për investimin e rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë, me një kredi shtesë, ku përfshihet segmenti nga Smrekonica deri në Mitrovicë me gjatësi prej 5 kilometrash”, Aliu.

Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe drejtori ekzekutiv në Fondin Sovran për Zhvillim, Sultan A.Almarshad.

“Ky është një bashkëpunim i vazhdueshëm mes Kosovës dhe Fondit Saudit. Marrëveshja që do të nënshkruhet sot është vazhdim i projektit që është financuar nga fondi që është bërë në vitin 2013. Kjo zgjatje do ta zgjeroj rrugën në dy anët në dy autoudhë. Do të zvogëloj trafikun dhe do të zvogëloj aksidentet”, shtoi ai.