Kosova me politikat që ndjek shpejt do të përballet me mungesë të rinisë

Ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se vendi ynë nuk ka ndërmarrë asgjë për të stimuluar natalitetin dhe shumë shpejt do të përballet me mungesë të rinisë.

Lajme

09/03/2020 13:09

Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se deri me tani për sa i përket përftimeve për çiftet që bëhen prindër nuk është e planifikuar asgjë.

Në Kosovë është duke vazhduar rënia e natalitetit dhe përkundër kësaj institucionet e vendi deri më tani nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar këtë gjendje. Drejtori i organizatës “Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale”, që merret me hulumtimin e temave sociale, Vehbi Mujku, tha për Radio Kosovën se institucionet e Kosovës nuk janë duke ndërmarrë asgjë për të stimuluar natalitetin dhe për pasojë vendi ynë shumë shpejt do të përballet me problemin e mungesës së rinisë.

“ Kosova është njëra ndër shtetet e vetme që nuk garanton sigurime shëndetësore, shtesa për fëmijë dhe për prindër edhe pse është e drejtë universale e garantuar, mirëpo shteti deri me tash nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Asnjëherë nuk flitet për rritjen e natalitetit, dhe besoj që shumë shpejt Kosova ka me qene në krizë për fuqi punëtore dhe do të përballet me mungesën e rinisë. “

Mujku, tha se institucionet duhet të bëjnë diçka në planin afatgjatë, sidomos të stimulohen nënat të cilat janë të punësuara që pas lindjeve të kenë vendin e punës të siguruar dhe një orar të përshtatshëm që të kenë mundësi të punojnë dhe të kujdesen për fëmijën.

“ Institucionet duhet të bëjnë diçka që është afatgjatë në mënyrë që të stimulojnë nënat që kanë fëmijën e parë të dytë e të tretë. Nënave duhet t’u sigurohet që pas lindjes të kenë të sigurt vendin e punës dhe të rregullohet një orar i punës që mund të punojnë dhe të kujdesen për fëmijët.”

E udhëheqësi i Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Mentor Morina, tha për Radio Kosovën se deri me tani për çiftet të cilët bëhen prindër nuk është bëre asgjë. Në lidhje me këtë, në Vushtrri i është propozuar Kuvendit të Komunës që të miratojë propozimin për ndarjen e shumës prej 120 euro për të gjitha çiftet që bëhen prindër, me qëllim të stimulimit të natalitetit. Ndryshe, vendet e rajonit, e ndër to Shqipëria, për të gjitha çiftet që bëhen prindër ndan deri në 1 mijë pas lindjes së fëmijës të tretë.