Kosova i la pa përzgjedhës, legjenda sllovene tani merr frenat e Kombëtares
Kombëtarja e Sllovenisë mbeti pa përzgjedhës pas humbjes nga Kosova, pasi Matjaz Kek u shkarkua. Ish-lojtari i kombëtares sllovene, Bostjan Cesar (43), është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares së Sllovenisë në futboll. Cesar është rekordmen i paraqitjeve me fanellën kombëtare, me gjithsej 102 ndeshje të zhvilluara, ndërsa për shumë vite mbajti edhe shiritin…
Sport
Kombëtarja e Sllovenisë mbeti pa përzgjedhës pas humbjes nga Kosova, pasi Matjaz Kek u shkarkua.
Ish-lojtari i kombëtares sllovene, Bostjan Cesar (43), është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares së Sllovenisë në futboll.
Cesar është rekordmen i paraqitjeve me fanellën kombëtare, me gjithsej 102 ndeshje të zhvilluara, ndërsa për shumë vite mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Ai ishte pjesë e përfaqësueses sllovene në Kupën e Botës 2010, duke kontribuar në kualifikimin e Sllovenisë në skenën më të madhe të futbollit botëror për herë të dytë në histori.
Pjesën më të madhe të karrierës së tij si futbollist e kaloi në Itali, kryesisht te Chievo Verona, ku gjatë një periudhe dhjetëvjeçare zhvilloi 247 ndeshje zyrtare dhe realizoi nëntë gola.
Përvoja e tij ndërkombëtare përfshin gjithashtu angazhime në Francë, me Marseille dhe Grenoble, si dhe në Angli me West Bromwich Albion, çka i dha një njohje të gjerë të shkollave të ndryshme të futbollit evropian.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Cesar u orientua drejt trajningut. Ai fillimisht drejtoi kombëtaren U-19 të Sllovenisë, ndërsa në janar të vitit 2022 iu bashkua stafit të ekipit kombëtar A si asistenti i parë i Matjaz Kek.
Cesar ishte pjesë e stafit teknik edhe gjatë suksesit më të madh të futbollit slloven në vitet e fundit, kur përfaqësuesja u kualifikua dhe arriti deri në fazën e 1/8 së finales në Kampionatin Evropian 2024.
Në mungesë të Matjaz Kekut, ai ka drejtuar me sukses edhe ekipin kombëtar A. Gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e tij, Sllovenia mbeti e pamposhtur në pesë ndeshje, përfshirë edhe fitoren bindëse 2:0 në një miqësore ndaj Portugalisë.