Kosova i hoqi vizat njëanshëm për Bosnjën, Sarrazin paralajmëron presion të Gjermanisë që Dodik të heqë bllokadën

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një konferencë me gazetarë, ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës që nga 1 janari 2025 të lejojë hyrjen e qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës vetëm me karta të identitetit në Kosovë. Sarrazin, ka thënë se ky është një hap pozitiv i Kosovës dhe se…

Lajme

15/10/2024 14:35

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një konferencë me gazetarë, ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës që nga 1 janari 2025 të lejojë hyrjen e qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës vetëm me karta të identitetit në Kosovë.

Sarrazin, ka thënë se ky është një hap pozitiv i Kosovës dhe se kjo është fryma e vërtetë e Procesit të Berlinit.

“Është nja hap pozitiv. Ky është shpirti i vërtetë i Procesit të Berlinit dhe ka një impakt pozitiv për ata që mbajnë pasaportë të Bosnje e Hercegovinës”, ka thënë Sarrazin për Gazeta Express.

I pyetur nëse Gjermania do të ndërmarrë veprime për të bindur edhe palën tjetër që të heq regjimin e vizave për Kosovën, Sarrazin ka thënë se Berlini zyrtar që nga nëntori i vitit 2022 ka bërë presion dhe ka bërë përpjekje për të bindur Republika Srpskan e Millorad Dodik që të heqë bllokadën për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në mes të Bosnjës dhe Kosovës.

“Gjermania qe nga nëntori 2022 ka bërë presion dhe ka kërkuar, dhe ka bërë përpjekje për te bindur Republika Srpskan për të hequr veton kombëtare. E kemi bërë të qarte që kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Sarrazin në pyetjen e Gazetës Express.

Megjithatë emisari gjerman e ka bërë të qartë që s’do të ketë “sheqera” për Dodikun në këmbim të heqjes së vetos kombëtare dhe mundësimit të heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

“E kemi bërë të qarte që s’do të japim sheqera për këtë, s’do të paguajmë”, ka thënë Sarrazin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të hënën nga Berlini se që nga 1 janari 2025, Republika e Kosovës do të lejojë shtetasit e Bosnje e Hercegovinës që të futen në territorin e Republikës së Kosovës vetëm më letërnjoftim të BeH. Ky veprim i Kosovës është duartrokitur edhe nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, që e ka përmendur edhe në konferencën e mbajtur për media