Kosova e Vitit 2013

Analisti Baton Haxhiu e konsideron Dialogun në Bruksel si pikën kryesore të vitit që lamë pas, i quan befasi politike Shpend Ahmetin dhe Agim Bahtirin, ndërsa fituesin më të madh e vlerëson elektoratin. Ky ishte Viti 2013.

Lajme

31/12/2013 15:05

Analisti Baton Haxhiu, në një intervistë për lajmi.net, vlerëson se fituesi më i madh i vitit 2013 ishte elektorati kosovar, i cili me votën e tij ndëshkuese i bëri me humbje të gjitha partitë politike në Kosovë.

Ai e konsideron si pikën kryesore të vitit Dialogun Kosovë-Serbi, të zhvilluar në Bruksel mes Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

Sfidat për vitin 2014, ndërkaq, i sheh tek vendet e rezervuara, zgjedhjet e ardhshme nacionale në Kosovë, bojkotin e mundshëm të serbëve në këto zgjedhje, si dhe ndërprerjen e Dialogut.

 

Lajmi.net: Cilat ishin çështjet kryesore politike në vitin 2013? Çfarë do të veçonit?

Baton Haxhiu: Dialogu me Brukselin dhe Serbinë ishte çështja kryesore e vitit që lamë pas. Ajo mban peshën politike të vitit 2013.

Fitoret e Shpend Ahmetit në Prishtinë dhe Agim Bahtirit në Mitrovicë janë befasitë politike.

Kurse fitorja më e madhe është ajo e elektoratit të Kosovës në zgjedhjet lokale, kur vendosi që t’i bëjë me humbje të gjitha partitë politike të Kosovës, dhe njëkohësisht t’i dënojë ato për mungesë të ndërgjegjes politike në vitin 2013.

Lajmi.net: Kur jemi te zgjedhjet lokale, a mendoni se një proces i tillë, i cili u vlerësua si më i miri në Kosovën e pasluftës, do të përsëritet edhe në zgjedhjet parlamentare, të planifikuara për pjesën e dytë të 2014?

Baton Haxhiu: Zgjedhjet lokale përcaktuan një standard dhe një qëndrim: standardi ishte procesi më i suksesshëm zgjedhor deri më tash, kurse qëndrimi që ka dalë nga këto zgjedhje ka të bëjë me çështjen e vjedhjes së zgjedhjeve. Nuk vidhen zgjedhjet pa vullnetin politik të liderëve.

Lajmi.net: Me fjalë tjera, a ishin zgjedhjet e vitit 2013 një rastësi, apo shenjë e emancipimit politik të Kosovës, i cili kësisoj do të vazhdojë edhe në të ardhmen?

Baton Haxhiu: Ishte mbushur kupa. Nuk kishte guxim askush ta bënte vjedhësin. Dënimi nga elektorati do të ishte shumë i ashpër.

Lajmi.net: Sa kanë qenë befasuese për ju fitoret e Shpend Ahmetit, Mimoza Kusarit, Agim Bahtirit, Gazmend Muhaxherit…?

Baton Haxhiu: Fitorja e Shpend Ahmetit ka qenë befasuese. Por, krejtësisht befasuese ka qenë fitorja e Agim Bahtirit. As sot nuk e kam të qarte pse ka ndodhur. Politikisht – e paqëndrueshme. Nga aspekti sociologjik – e pashpjegueshme. Rezultatet tjera kanë qenë të qarta më herët.

Lajmi.net: Sipas jush, deri në ç’masë do të mund t’i përmbushin premtimet dhe pritjet që ka elektorati ndaj tyre?

Baton Haxhiu: Pritjet janë më të mëdha sesa mundësitë ekzistuese. Duhet shumë shije për ndryshim përmbajtjesor dhe estetik. Nuk i shoh këto komponentë tek të gjithë këta fitues.

Lajmi.net: Në bazë të deklaratave të liderëve partiakë, krijohet përshtypja se ekziston një hendek i madh në mes PDK’së, LDK’së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe AAK’së…

Baton Haxhiu: Të gjithë do të jenë të gatshëm për t’u “sakrifikuar” për koalicione. Mos keni merak – aty do t’i keni të gjithë.

Lajmi.net: Nëse këto qëndrime nuk ndryshojnë drastikisht, si ka mundësi të krijohen koalicionet, respektivisht Qeveria e ardhshme e Kosovës, pas zgjedhjeve të vitit 2014?

Baton Haxhiu: Qeveria është brenda trekëndëshit PDK-LDK-AAK. E keni të sigurt.

Lajmi.net: Cilat do të jenë sfidat kryesore të politikës kosovare në vitin 2014?

Baton Haxhiu: Votimi i vendeve te rezervuara, zgjedhjet në Kosovë, zgjedhjet në Serbi, zgjedhjet në BE, ndërprerja e dialogut, si bojkoti i mundshëm i serbëve në zgjedhjet e përgjithshme.