Kosova e Shqipëria, në mesin e pak aleatëve që mbështetën aksionin e ShBA-së në Venezuelë
Operacioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara që çoi në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, të shtunën, ka shkaktuar alarm në mbarë komunitetin ndërkombëtar. Si aleatët ashtu edhe kundërshtarët e Uashingtonit dhe Karakasit kanë shprehur shqetësim për zhvillimet. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Maduro dhe bashkëshortja e tij do të dërgohen në Nju…
Lajme
Operacioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara që çoi në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, të shtunën, ka shkaktuar alarm në mbarë komunitetin ndërkombëtar.
Si aleatët ashtu edhe kundërshtarët e Uashingtonit dhe Karakasit kanë shprehur shqetësim për zhvillimet.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Maduro dhe bashkëshortja e tij do të dërgohen në Nju Jork për t’u përballur me akuza federale, pas sulmeve ushtarake dhe një operacioni që ai e përshkroi si diçka që dukej “si një shfaqje televizive”, raporton AFP, transmeton klankosova.
Qeveria e Venezuelës e dënoi atë që e quajti “agresion ushtarak jashtëzakonisht serioz” nga ana e ShBA-së dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme. Vende si Rusia dhe Irani, të cilat kanë pasur lidhje të hershme me qeverinë e Maduros, reaguan shpejt me dënime, por alarmi u nda edhe nga aleatët e Uashingtonit, përfshirë Francën dhe Bashkimin Evropian.
Kosova dhe Shqipëria janë mesin e pak shteteve aleate të ShBA-së që mbështetën aksionin e saj në Venezuelë.
Më poshtë, reagimet kryesore:
Rusia
Rusia kërkoi që udhëheqja amerikane “ta rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të lirojë presidentin e zgjedhur ligjërisht të një shteti sovran dhe bashkëshorten e tij”.
Kina
Pekini tha se “Kina është thellësisht e tronditur dhe dënon fuqishëm përdorimin e hapur të forcës nga ShBA-ja kundër një shteti sovran dhe veprimet ndaj presidentit të tij”.
Irani
Irani, të cilin Trump e kishte bombarduar vitin e kaluar, deklaroi se “dënon ashpër sulmin ushtarak amerikan ndaj Venezuelës dhe shkeljen flagrante të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të vendit”.
Meksika
Meksika, e cila gjithashtu është kërcënuar nga Trumpi me forcë ushtarake për çështje të trafikut të drogës, e dënoi ashpër veprimin ushtarak amerikan në Venezuelë, duke thënë se ai “rrezikon seriozisht stabilitetin rajonal”.
Kolumbia
Presidenti kolumbian Gustavo Petro, vendi i të cilit kufizohet me Venezuelën, e quajti veprimin e ShBA-së një “sulm ndaj sovranitetit” të Amerikës Latine, që do të çojë në një krizë humanitare.
Brazili
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva i cilësoi sulmet amerikane si një “fyerje serioze” ndaj sovranitetit të Venezuelës.
Kuba
Kuba, aleat i fortë i Venezuelës, denoncoi “terrorizmin shtetëror kundër popullit të guximshëm venezuelian”.
Spanja
Spanja ofroi të ndërmjetësojë në krizë për të gjetur një rrugë drejt një zgjidhjeje paqësore, duke bërë thirrje për “de-përshkallëzim dhe përmbajtje”.
Franca
Franca dënoi operacionin amerikan, duke thënë se ai minon të drejtën ndërkombëtare dhe se asnjë zgjidhje për krizën në Venezuelë nuk mund të imponohet nga jashtë.
Bashkimi Evropian
BE-ja shprehu shqetësim për zhvillimet dhe bëri thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa vuri në dukje se Maduros “i mungon legjitimiteti”.
Megjithatë, vendi kandidat i BE-së Maqedonia e Veriut, së bashku me vendet e Ballkanit, Shqipërinë dhe Kosovën, mbështetën Uashingtonin.
“Ne qëndrojmë me Shtetet e Bashkuara dhe popullin venezuelas për liri dhe demokraci”, tha në platformën X ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timco Mucunski.
Britania e Madhe
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se të gjitha vendet duhet “të respektojnë të drejtën ndërkombëtare” dhe shtoi se “Mbretëria e Bashkuar nuk ka qenë e përfshirë në asnjë mënyrë në këtë operacion”, duke bërë thirrje për durim për të “përcaktuar faktet”.
Italia
Në një shprehje të rrallë mbështetjeje për operacionin amerikan nga një vend i madh evropian, kryeministrja e djathtë italiane Giorgia Meloni, aleate e Trumpit, argumentoi se veprimi ushtarak i ShBA-së në Venezuelë ishte “legjitim” dhe “mbrojtës”.
Izraeli
Izraeli e përshëndeti operacionin, duke thënë se Uashingtoni veproi si “udhëheqës i botës së lirë”.
Ukraina
Ministri i Jashtëm Andriy Sybiga u fokusua te mungesa e legjitimitetit të Maduros dhe represioni i qeverisë venezueliane, duke mbështetur “demokracinë, të drejtat e njeriut dhe interesat e venezuelasve”.
Afrika e Jugut
Afrika e Jugut deklaroi: “Forca e paligjshme dhe e njëanshme e këtij lloji minon stabilitetin e rendit ndërkombëtar dhe parimin e barazisë mes kombeve”.
OKB-ja
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh “thellësisht i alarmuar” nga sulmet amerikane, duke paralajmëruar se ato mund të “përbëjnë një precedent të rrezikshëm”.