Kosova e natyralizon peshëngritësin iranian, ish-kampion olimpik

Ish-kampioni olimpik dhe botëror në peshëngritje, iraniani Kianoush Rostami, do të përfaqësojë Kosovën. Shtangisti 33-vjeçar është pajisur me pasaportën e Kosovës dhe tashmë është gati për të konkurruar për përfaqësuesen dardane. Lajmin e ka dhënë vetë Astrit Hasani, presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, njëkohësisht edhe president i Federatës së Kosovës. Gjatë një komunikimi në…

Sport

19/06/2025 13:55

Ish-kampioni olimpik dhe botëror në peshëngritje, iraniani Kianoush Rostami, do të përfaqësojë Kosovën. Shtangisti 33-vjeçar është pajisur me pasaportën e Kosovës dhe tashmë është gati për të konkurruar për përfaqësuesen dardane.

Lajmin e ka dhënë vetë Astrit Hasani, presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, njëkohësisht edhe president i Federatës së Kosovës.

Gjatë një komunikimi në podkastin “Sportfolio” në Radio Dukagjini, Hasani ka njoftuar se që prej datës 2 korrik të këtij viti, iraniani Rostami do të garojë për flamurin kosovar.

“Një lajm tjetër i mirë për Kosovën është se ish-kampioni olimpik Kianoush Rostami nga Irani ka pranuar që të garojë për ne, duke nisur 2 korriku i këtij viti. Rostami do të marrë pjesë për Kosovën në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në Norvegji dhe ne presim që të fitojmë medalje botërore. Me këtë rast dua të falënderoj presidenten e republikës, e cila në afat rekord i ka mundësuar marrjen e shtetësisë dhe tashmë ne e kemi dorëzuar pasaportën e Kosovës në Federatën Botërore”, shprehet fillimisht Hasani, teksa më tej shton:

“Federata e Iranit fillimisht ne premtoi që do ta nënshkruante në Bahrejn, por në momentin e fundit nuk e mbajti fjalën. Por tashmë Federata Botërore e ka marrë vendimin, pasi bordi ekzekutiv ka vendosur që duke nisur nga data 2 korrik 2025 Rostami është gatshëm për të përfaqësuar Kosovën”.

Ndërkohë, i pyetur nëse do të jetë problem mbërritja e peshëngritësit në Kosovë në një kohë kur lufte mes Izraelit dhe Iranit, kreu i federatës kosovare sqaron: “Gjithmonë ka alternativa dhe ne jemi në kontakt çdo ditë me peshëngritësin. Ai ka qenë në Kosovë edhe më herët dhe shumë shpejt pritet që të vijë në Kosovë për të përfaqësuar ekipin tonë”.

Kianoush Rostami, i cili më 23 korrik do të mbushë 34 vjeç, ka një palmares për t’u admiruar në karrierën e tij, edhe pse suksesi i tij i fundit në nivele të larta ndërkombëtare i përket vitit 2020, si kampion i Azisë.

Iraniani ka fituar medalje të artë olimpike në “Rio 2016” dhe argjend në “Londër 2012”.

Ai është shpallur dy herë kampion bote në vitet 2011 dhe 2014, si dhe një herë nënkampion në vitin 2015.